​Arrestoi një polic i dyshuar për keqtrajtim gjatë detyrës zyrtare

Hetuesit e Inspektoratit Policor të Kosovës, kanë arrestuar një zyrtar policor, punonjës në Stacionin Policor Qendra, nën dyshimin se i njëjti ka kryer veprën penale “keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare”. Kurse, me vendim të prokurorit të njëjtit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.

Inspektorati Policor i Kosovës njofton se ka pranuar sot në orët e pasdites një informacion nga Policia e Kosovës sipas të cilit informacion një qytetar pretendonte për tejkalim të autorizimeve policore gjatë përdorimit të forcës nga një zyrtar policor në stacionin policor Qendra në Prishtinë.

“Qytetari paraprakisht ishte shoqëruar nga policia në stacionin policor me dyshimin për shkak të mos respektimit të masave anti – covid . Pas disa veprimeve hetimore në konsultim me prokurorin kompetent i cili ka qenë në vend të ngjarjes, hetuesit e IPK-së kanë arrestuar një zyrtar policor (punonjës në Stacionin Policor Qendra) që ishte i përfshirë në këtë incident. Arrestimi i tij është bërë me dyshimin se i njëjti ka kryer veprën penale “keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare” kurse me vendim të prokurorit të njëjtit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë. Edhe qytetarit të shoqëruar në stacionin e policisë i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë nga prokuroria”, thuhet në njoftim.

Hetuesit e IPK-së pritet të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore në konsultim të vazhdueshëm me prokurorin përgjegjës për të sqaruar rrethanat e këtij incidenti.

Kategoritë
LajmeVendi