​Dënohet me pesë mijë euro zyrtari i Komunës së Kllokotit

Gjykata Themelore në Gjilan ka dënuar me 5 mijë euro A. E., këshilltar i kryetarit të Komunës së Kllokotit, për shkak se ka kryer veprën penale keqpërdorimi i pozitës dhe autoritetit zyrtar.

I akuzuari në janar 2018, në Pozhoran të Vitisë, duke shfrytëzuar pozitën e tij zyrtare me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror për vete dhe Komunën e Kllokotit, ka tejkaluar kompetencat e tij zyrtare, në atë mënyrë që shkon tek një operator dhe kërkon inventar për objektin e Komunës së Kllokotit dhe me të njëjtin arrin marrëveshje verbale dhe i premton se më vonë do të zbatohen procedurat ligjore dhe do të bëhet pagesa nga komuna, më pas të cilin inventar e vendos në objektin e ri të komunës, ndërsa komuna nuk e kryen obligimin pasi nuk janë përfillur procedurat e prokurimit dhe kjo pagesë nuk është kryer.

Me këtë i është shkaktuar dëm operatorit ekonomik në vlerë 4.460 euro.

Trupi gjykues pas shtjellimit të gjitha provave dhe dëgjimit të dëshmitarëve të akuzuarin e shpall fajtor dhe e dënon në kohëzgjatje prej 180 ditë burgim, e cila me propozim të të akuzuarit, i zëvendësohet në gjobë prej 5.000 euro.

Palët e pakënaqura kanë të drejt ankese kundër këtij aktgjykimi në Gjykatën e Apelit

Kategoritë
LajmeVendi