​Gjermania dënon kufizimet detare ruse në Detin e Zi

Gjermania kritikoi njoftimin e Rusisë se do të mbyllë tri zona të Detit të Zi për anijet e huaja luftarake për disa muaj.

Kufizimet hynë në fuqi të shtunën në mbrëmje dhe do të qëndrojnë në fuqi deri më 31 tetor, raportuan agjencitë ruse të lajmeve, duke iu referuar Ministrisë së Mbrojtjes në Moskë, transmeton AP.

“Kufizimet në të ashtuquajturin kalim paqësor nëpër ujërat bregdetare për një periudhë kaq të gjatë kohore janë të papara dhe problematike nga këndvështrimi i ligjit ndërkombëtar,” tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme gjermane Christopher Burger.

“Sa u përket ujërave ndërkombëtare dhe ujërave bregdetare të Krimesë së aneksuar në mënyrë të paligjshme, ne besojmë se kjo është një shkelje e ligjit ndërkombëtar,” u tha Burger gazetarëve në Berlin.

Sipas raporteve të mediave ruse, kufizimet zbatohen në zonën përgjatë bregdetit të Krimesë midis Sevastopolit dhe Gurzufit, zonës afër gadishullit Kerch dhe zonës afër kepit perëndimor të Krimesë.

Kategoritë
BotaLajme