Ushtruesi i detyrës së kryetarit të PDK-së Enver Hoxhaj ka takuar sot zëvendëskryeministrin e parë të Maqedonisë Veriore Artan Grubin, me ç’rast bënë thirrje që sa më shumë mërgimtarë të regjistrohen në regjistrin civil të popullatës të këtij vendi, proces ky i filluar më 1 mars të këtij viti.
Hoxhaj në një konferencë për media bëri thirrje që e gjithë diaspora shqiptare nga Ballkani ta mbështesë procesin e regjistrimit civil në Maqedoninë Veriore.
Ai tha se regjistrimi i qytetarëve në Maqedoninë Veriore ka rëndësi të madhe politike për të ardhmen shqiptarëve në këtë vend.
Hoxhaj: Sa më shumë shqiptarë të regjistrohen në regjistrin civil të popullatës në Maqedoninë Veriore
“Ky nuk është proces teknik, është një proces shumë i rëndësishëm politik, që ka të bëjë jo me një vendimmarrje afatshkurtër në Maqedoni të Veriut, por që ka të bëjë me të ardhmen e Maqedonisë së Veriut. Prandaj, dua t’i ftoj në emër të PDK-së të gjithë shqiptarët që jetojnë në vende të ndryshme të botës e që janë nga Maqedonia e Veriut, të marrin pjesë aktive në regjistrimin civil, që të shihet sesa shqiptarë jetojnë jashtë vendit, dhe mbi të gjitha të tregojmë si shqiptarë që jemi, se ne jemi në Ballkan sikurse që është faktori gjerman në Evropë”, tha Hoxhaj.
Sipas tij, procesi i regjistrimit civil të popullsisë në Maqedoninë Veriore dhe organizimi i një mbledhjeje të përbashkët të Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Maqedonisë Veriore janë jetike për shqiptarët.
Për këtë ai ftoi qeverinë në ardhje që të iniciojë mbajtjen e mbledhjes midis dy qeverive, meqë kjo sipas tij, do të kishte ndikim në bashkëpunimin politik, atë të mbrojtjes dhe të sigurisë si dhe në zhvillimin ekonomik.
Hoxhaj: Takimi mes dy qeverive do të kishte ndikim të madh ndërvëllazëror
“Kjo do të kishte ndikim të madh edhe në bashkëpunimin politik, edhe në fushën e sigurisë, në fushën e mbrojtjes, zhvillimin ekonomik, por mbi të gjitha edhe sa i takon bashkëpunimit ndërvëllazëror mes Prishtinës, Shkupit dhe Tetovës”, tha Hoxhaj.
Zëvendëskryeministri i parë i Maqedonisë Veriore Artan Grubi tha se deri më tash kanë tejkaluar numrin prej 72 mijë qytetarëve të regjistruar nga mërgata, teksa shtoi se presin ndihmë për rritjen e këtij numri deri në 200 mijë.
Sipas Grubit, rritja e numrave të shqiptarëve të Maqedonisë Veriore është jetike për të ardhmen e tyre.
Sa i përket mbledhjes mes dy qeverive, ai tha se mezi po presin ta mbajnë atë në mënyrë që të realizojnë 15 marrëveshje bilaterale, të cilat pritet të nënshkruhen.
Grubi: Mezi po presim mbledhjen e dy qeverive që të realizojmë marrëveshjet bilaterale
“Rritja e numrave është jetike për zbatimin e të drejtave jetike për zbatimin e të drejtave politike të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut. Gjithashtu, biseduam edhe për një nismë të kahmotshme të Hoxhaj, që është mbajtja e një mbledhjeje të përbashkët të dy qeverive tona. Janë mbi 15 marrëveshje bilaterale që po presin nënshkrimin, qysh nga koha kur zëvendëskryeministër ishte Hoxhaj dhe mezi po presim formimin e qeverisë së re në Kosovë që t’i realizojmë ato marrëveshjeje, duke filluar edhe me largimin e kufirit mes nesh në Bllacë, dhe në Bellanicë”, tha Grubi.
Artan Grubi po qëndron sot në Kosovë, ku gjatë ditës pritet të zhvillojë takime edhe me kryetarët e subjekteve tjera politike.