​Kontrabanda me duhan, Dogana e Kosovës suspendon 9 zyrtarë

Dogana e Kosovës ka suspenduar 9 zyrtarë doganorë ndaj të cilëve sot është ngritur aktakuzë për keqpërdorim të detyrës apo autoritetit zyrtar lidhur me kontrabandën me duhan, ndërkohë që nuk ka dhënë detaje rreth kapjes së një sasie të madhe droge me arsyetimin se nuk janë të autorizuar për një gjë të tillë.

Në një konferencë për media, drejtori i përgjithshëm i Doganës, Agron Llugaliu ka folur rreth hetimeve të kontrabandës me duhan, i cili ka nisur në vitin 2018, ku ishin të përfshirë 47 persona të dyshimtë, 9 prej të cilëve zyrtarë doganorë.

Sipas provave, ai tha se janë rreth 80 mijë kilogramë duhan kontrabandë, e që buxhetit të Kosovës i ka shkaktuar dëme në vlerë mbi 3 milionë euro.

Llugaliu: 9 zyrtarë doganorë të përfshirë në keqpërdorim të detyrës zyrtare

 

“Bëhet fjalë për një hetim, i cili bazuar në praktika administrative është ndarë në dy raste, po që gjithsej ka përfshirë 47 persona të dyshimtë, prej tyre 16 veç në proces të hetimit kanë arritur marrëveshje të pranimit të fajësisë me Prokurorinë, dy nga këta persona janë me shtetësi të Shqipërisë. Gjithashtu, bazuar në provat e mbledhura është konstatuar se 9 zyrtarë doganorë kanë qenë të përfshirë në keqpërdorim të detyrës zyrtare, që ka rezultuar me mundësimin e kontrabandës së këtij duhani. Duhani i kontrabanduar, sipas provave që kemi, ka qenë në sasinë prej rreth 80 mijë kilogramë. Përveç duhanit, ka pasur edhe mallra të tjera, por shuma e taksave që e përbën pjesa e duhanit është më e madhe, e pakrahasueshme më e madhe se të tjerët dhe arrin nivelin e dëmit që i është bërë buxhetit të Kosovës prej mbi 3 milionë euro”, tha ai.

Llugaliu tha se bazuar në aktakuzën që e ka ngritur Prokuroria Themelore në Prizren kanë suspenduar zyrtarët doganorë, e kjo tha se duhet të merret si mesazh se nuk do të ketë tolerim për çfarëdo lloj abuzimi apo neglizhence të detyrës zyrtare.

Llugaliu: Zyrtarët doganorë i suspenduam bazuar në aktakuzë

 

“Bazuar në aktakuzën të cilën e ngriti Prokuroria Themelore në Prizren i suspenduam edhe zyrtarët doganorë, të cilët kanë qenë pjesë e Doganës për shkak të dyshimit të bazuar që ka gjetur prokurorja gjatë hetimit së bashku me oficerët hetimor të Doganës. Ne vlerësojmë se duhet të dërgojmë një mesazh të qartë edhe për pjesëtarët e publikut, por edhe për zyrtarët tonë se do të ketë politika jo toleruese për çfarëdo abuzimi, çfarëdo neglizhence që i bëhet detyrës nga zyrtarët tanë doganorë”, tha ai.

I pari i Doganës është pyetur edhe rreth konfiskimit të kokainës që është bërë sot në Kosovë, por që tha se nuk mund të jep më shumë detaje.

Llugaliu: Jemi të udhëzuar që të mos nxjerrim informata

 

“Është e vërtetë se sot, siç është raportuar në media, është konfiskuar një sasi e konsiderueshme e kokainës, por ne jemi të udhëzuar që të mos nxjerrim informata, nuk jemi të autorizuar për pjesën e hetimit që e bën policia, kështu që nuk mund të japim informata në lidhje me këtë”, tha ai

Kategoritë
LajmeVendi