Kryeministri Albin Kurti priti sot në një takim drejtorin e Evropës në Ministrinë për Punë të Jashtme dhe Zhvillim të Britanisë së Madhe Giles Portman nga i cili ka marrë mbështetjen e qeverisë britanike për të vazhduar përkrahjen për Kosovën, veçanërisht në fushën e sundimit të ligjit dhe të sigurisë.
Duke e falënderuar Portman për ndihmën dhe përkrahjen që shteti britanik i ka dhënë Kosovës, Kurti tha se është i përkushtuar që Qeveria që ai udhëheq të thellojë edhe më shumë marrëdhëniet bilaterale me Britaninë e Madhe.
Ai shprehu mirënjohje të veçantë për ndihmën rreth njohjeve për Kosovën dhe kërkoi bashkëpunim të mëtejmë me Britaninë e Madhe për njohje të reja.
Në takim u bisedua edhe mbi zhvillimin ekonomik dhe procesin e përgatitjes për dialog, gjendjen me pandeminë dhe masat për parandalimin e përhapjes së koronavirusit dhe rimëkëmbjen ekonomike.
Portman potencoi faktin që pasi Britania është jashtë BE-së, është rritur mundësia për fuqizim të bashkëpunimit bilateral.
Të dy palët shtruan nevojën për investime të reja, të cilat do të sjellin punësim, veçanërisht për të rinjtë. Në këtë drejtim kryeministri e potencoi nevojën e ardhjes në Kosovë të brendeve të mëdha, në formë partneriteti me ndërmarrësit shqiptarë nga mërgata.