​Nisin diskutimet për hartimin e Strategjisë së re Kombëtare për Zhvillim 2030

Strategjia e re Kombëtare për Zhvillim 2030 po kërkohet të jetë në kuadër të orientimeve dhe programit të qeverisë aktuale, Kurti. Përmes një diskutimi virtual të organizuar nga Instituti GAP dhe Kosovo 2.0 u tha se ekzekutivi duhet të ketë prioritet këtë strategjie, pasi synon të vendosë objektiva afatgjata rreth sundimit të ligjit, zhvillimit ekonomik, social, mjedisor dhe anëtarësimit të Kosovës në BE. Por, fillimisht u kërkua të bëhet një vlerësim mbi arritjet dhe dështimet e Strategjisë aktuale të Zhvillimit Kombëtar 2016-2021. Derisa u tha se në planifikimin e ri duhet të pasqyrohen edhe pasojat nga pandemia Covid 19.

Hulumtuesi i lartë në Institutin GAP, Blend Hasaj tha se kjo strategji do të shërbej si udhërrëfyes për strategjitë e tjera sektoriale dhe planet qeveritare.

Derisa e bëri publik raportin për strategjinë aktuale, Hasaj tha nuk janë arritur të përmbushën shumica e objektivave të saj, veçanërisht në fushën e zhvillimit ekonomik, punësimit, tregtisë dhe investimeve të huaja direkte. Për këtë arsye, ai paraqiti disa rekomandime dhe kërkesa në hartimin e strategjisë së re.

Hasaj: Është e rëndësishme që masat e përfshira në strategji të jenë edhe në orientimet dhe programin e qeverisë aktuale

 

“Është e rëndësishme që masat e përfshira në strategji të jenë në vijë edhe në orientimet dhe programin e qeverisë aktuale. Po ashtu ne mendojmë se strategjia duhet të reflektojë edhe gjendjen e shkaktuar nga pandemia Covdi 19, sidomos në ndryshimet që janë shkaktuar qoftë në mënyrën e operimit të sektorëve për digjitalizim të shërbimeve dhe bizneseve, si dhe shërbimeve shëndetësore më cilësore dhe gjithëpërfshirëse[…]para se të miratohet strategjia kombëtare për zhvillim 2030 të bëhet një vlerësim për zbatimin të strategjisë kombëtare 2016-2021. Konkretisht rezultateve të arritura, shkaqet që janë identifikuar për mos arritje të theksuar të rezultateve dhe problemet që kanë ndikuar në zbatimi e strategjisë. Kjo të bëhet fillimisht, e më pas të kemi një miratim të strategjisë. Po ashtu do të ishte e udhës i ndikimit të pandemisë Covid 19 në aspektin ekonomik, social dhe shëndetësor”, tha ai .

Pjesë e këtij diskutimi virtual, ishte edhe ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, e cila tha se janë duke bërë planifikimet e duhura për hartimin e Strategjisë së re Kombëtare për Zhvillim 2030.

Hajdari: Jemi prapa legjislacionin për tregtinë e brendshme, tregtinë e jashtme

  

“Jemi prapa legjislacionin për tregtinë e brendshme, tregtinë e jashtme, prandaj bilanci tregtar është këtu ku është, pasi nuk kemi ligjet e aprovuara që është dashur të aprovohen për shumë kohë. Duke filluar edhe nga ligje të tjera, që është edhe ligji për naftën që pret prej vitin 2008 pa u aprovuar. Kjo janë arsye të ndryshme pse ka ardhur kjo vonesë[…] Në planifikimin e ri qeveritar, sugjerojmë edhe në planifikimin për zhvillim kombëtar të parashihen masat si pasojë e pandemisë Covid 19, po ashtu edhe adresimi i të gjitha humbjeve që i kemi në zhvillimin ekonomik, mos likuiditetin e ndërmarrjeve të vogla të mesme që kanë pësuar humbje gjatë mbylljes. Po ashtu edhe në sektorin social dhe shëndetësor”, tha ajo.

Ndërsa, udhëheqësja e ekipës në zyrën e BE-së në Kosovë, Mikaela Gronqvist tha se strategjia aktuale nuk është një dokument i qartë.

Gronqvist: Strategjia aktuale nuk është një dokument strategjik i qartë

 

“Strategjia aktuale nuk është një dokument strategjik i qartë i nivelit të lartë, pasi përfshinë një miks edhe të aktiviteteve dhe të synimeve gjithëpërfshirëse në të njëjtin dokument. Kjo ka nënkuptuar se nuk kemi një kronologjike logjike për ta ndjekur në zbatim. Në kornizën e e planifikimit strategjik nuk kemi pasur një caktim të qartë të detyrave nga niveli më i lartë deri tek niveli i aktiviteteve”, tha ajo.

Ky diskutim është pjesë e projektit “Angazhimi qytetar” që mbështetet nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe implementohet nga Kosovo 2.0 në bashkëpunim me Institutin GAP./

Kategoritë
LajmeVendi