​Një muaj paraburgim për personin që vrau djalin e axhës

Gjykata Themelore në Pejë – Departamenti për Krime të Rënda, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Pejë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit F.B, për shkak të dyshimit të bazuar për vrasje.

“Me datë 24.04.2021, rreth orës 14:30 minuta, në oborrin e tani të ndjerit, me dashje e për shkak të mosmarrëveshjeve të mëparshme dhe të atëçastshme rreth pronës, në mes të pandehurit dhe tani të ndjerit, gjersa tani i ndjeri ishte duke e thurur pronën, vie deri tek konflikti verbal lidhur me pronën, me ç’rast i pandehuri nga shtëpia e tij merr armën dhe gjuan në drejtim të tani të ndjerit dhe si pasojë e goditjeve nga arma tani i ndjeri nga plagët e shkaktuara vdesë gjersa i pandehuri së bashku armë largohet nga vendi i ngjarjes”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.

Sipas Gjykatës, me këto veprim i pandehuri F.B për të kryer veprën penale vrasje nga neni 172 lidhur me nenin 28 te KPRK-së dhe veprën penale mbajtja në pronësi, kontroll apo posedim të paautorizuar të armëve nga neni 366 par.2 të KPRK-së.

“Të pandehurit i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaji pasi që gjykata vlerësoi se ekziston dyshimi se i njëjti e ka kryer veprën penale për të cilën dyshohet dhe duke e pas parasysh se i pandehuri ka qenë në arrati dhe duke e marrë parasysh peshën e veprës penale, mënyrën e kryerjes, afërsinë familjare me të ndjerin, vendin dhe kohën e kryerjes së veprës penale, gjykata ka gjetur se me gjetjen e mundshme të pandehurit në liri, i njëjti mund të ikë apo mund të ndikojë në dëshmitarë e me këtë të pengoj rrjedhën normale të procedurës penale. Andaj, gjykata ka vlerësuar se paraburgimi është masa adekuate për sigurimin e prezencës së tij në procedurë”, thuhet në njoftim.

Gjykata sipas detyrës zyrtare vlerësoi edhe masat tjera alternative për sigurinë e pranisë së të pandehurit në procedurë mirëpo, vlerësoi se në ketë fazë të procedurës asnjë masë tjetër alternative nuk do të ishte e adekuate.

Kundër këtij vendimi pala e pakënaqur ka të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit.

Kategoritë
LajmeVendi