Ushtruesja e detyrës së presidentes, Vjosa Osmani priti sot në takim Ulrika Richardson, koordinatore për Zhvillim të OKB-së, e cila i përcolli urime Osmanit për rezultatin në zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit, si dhe e uroi atë dhe popullin e Republikës së Kosovës për një proces të qetë e demokratik zgjedhor.
Sipas një komunikate të Presidencës, palët diskutuan për rëndësinë e shndërrimit të pritshmërive të qytetarëve në punë dhe në projekte konkrete.
“Në këtë drejtim, u diskutua edhe për avancimin e pozitës dhe mirëqenies së fëmijëve dhe të grave. Njëkohësisht, u theksua nevoja për bashkrëndim të politikave publike dhe projekteve të ndryshme zhvillimore me Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm. Në takim u diskutua edhe për rëndësinë e prioritizimit të menaxhimit të suksesshëm të pandemisë si dhe sigurimit sa më të shpejtë të vaksinës, si dhe bashkëpunimit të vazhdueshëm ndërinstitucional në këtë drejtim”, thuhet në komunikatë.