​Osmani e Kurti kujtojnë Aganin: Kontribuoi shumë për shtetin e Kosovës

Në 22-vjetorin e vrasjes së veprimtarit dhe ish-nënkryetarit të LDK-së, Fehmi Agani, presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani e shoqëruar nga kryeministri, Albin Kurti kanë bërë homazhe dhe kanë vendosur kurora lulesh tek varri i tij. Nga aty që të dy krerët institucionalë kërkuan drejtësi për vrasjen e akademik Aganit dhe për të gjitha vrasjet e kryera nga regjimi jugosllav.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani tha se Agani ishte krahu i djathtë i presidentit historik të Kosovës, Ibrahim Rugova.

Osmani tha se sot e kujtuan intelektualin i cili dha kontribut të jashtëzakonshëm në vendosjen e bazamentit të shtetit të Kosovës.

Osmani: Agani kontribuoi në vendosjen e bazamentit të shtetit

 

“Në 22-vjetorin e vrasjes makabre të akademik Fehmi Aganit, të njeriut i cili ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në vendosjen e bazamentit të shtetit të Kosovës. Së bashku me kryeministrin dhe familjarët bëmë nderime tek varri i tij për ta kujtuar në radhë të parë shpirtin e tij liridashës, por mbi të gjitha intelektualin që kurrë nuk rreshti së punuari për Kosovën shtet të pavarur dhe sovran. Ishte njeri që gjithmonë dinte t’i bënte të gjithë bashkë në kohët më sfiduese, ishte krahu i djathtë i presidentit historik, Ibrahim Rugova e mbi të gjitha punoi që sakrifica e popullit të Kosovës për liri të dëgjohej përtej kufijve tanë. Ndërkaq sikurse edhe për të gjithë ata të cilëve u mori jetën regjimi gjenocidal serb, edhe sot kërkojmë drejtësi”, tha presidentja Osmani.

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti tha se sot në këtë 22-vjetor të rrëmbimit dhe vrasjes kriminale të profesor, Fehmi Aganit tek varri i tij po bëjnë nderime për figurën, rolin dhe kontributin e tij të madh.

Ai theksoi se me ndryshimet në Kodin e Procedurës Penale për gjykimin dhe dënimin në mungesë është koha e fundit që sistemi i drejtësisë të punojë që të sjellë drejtësi për të gjitha viktimat e regjimit serb.

Kurti: Me ndryshimet legjislative sistemi i drejtësi do mund të filloj me procese gjyqësore që sjellin drejtësi për viktimat

 

“Qysh më 29 maj të vitit 2019, ne patëm plotësuar e ndryshuar Kodin e Procedurës Penale për të mundësuar Prokurorinë tonë Speciale që të hetojë e më pas të kemi edhe gjykime e dënime në mungesë. Para dy javësh e bëmë edhe një avancim legjislativ të radhës dhe besoj që është koha e fundit që sistemi ynë i drejtësisë të veprojë, të punojë, në mënyrë që për vrasjet e shumta të regjimit kriminal të Jugosllavisë së Millosheviqit të fillojmë të kemi procese të drejta gjyqësore që sjellin drejtësi për të gjitha viktimat”, theksoi ai.

Shefi i ekzekutivit Aganin e konsideroi si një veprimtar politik paqësor, por me karakter përparimtar, veprat e të cilit siç tha ai do kenë jehonë në të ardhmen.

Kurti: Agani, formim të thellë social dhe politikan paqësor

 

“Si profesor, akademik dhe intelektual, Fehmi Agani kishte formim të thellë social dhe të lart humanist, ndërkaq si veprimtar politik dhe si politikan udhëheqës, ai ishte paqësor për nga karakteri dhe përparimtar për nga synimi. Profesor Agani e theksonte rëndësinë e mendimit në politikë dhe të argumentimit në mendim. Profesor Agani ka lënë studentët e tij, të cilët janë edhe profesorë sot. Ka lënë veprat e tij që lexohen nga të gjithë, andaj padyshim që kontributi dhe puna e tij do të jehojë edhe në të ardhmen”, u shpreh ai.

Ish-nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Fehmi Agani u vra me 6 maj të vitit 1999, nga forcat pushtuese serbe. Agani u vra afër Lipjanit nga serbë me uniforma dhe të armatosur.

Më 6 maj 1999, Agani, së bashku me familjen e tij, tentoi të linte Kosovën me tren. Në kufirin me Maqedoninë, treni u kthye mbrapsht. Diku afër Fushë Kosovës, policia ndaloi trenin dhe urdhëroi të zbrisnin të gjithë. Dëshmi të ndryshme të botuara në shtyp thonë se Agani u mor ose në një autobus së bashku me burra të tjerë shqiptarë, ose i vetëm me policët brenda një makine private. Kufoma e tij u gjend të nesërmen buzë një rruge gjithë baltë, pranë Lipjanit.

Për nder të profesor Aganit vite më parë është ngritur përmendorja e tij në oborrin e Fakultetit të Filologjisë në Prishtinë./

Kategoritë
LajmeVendi

Të ngjajshmet