​PDK kërkon edhe një anëtar në KQZ, thotë se presidentja po e shkel Kushtetutën

Partia Demokratike e Kosovës ka kritikuar presidenten e vendit, Vjosa Osmani, për mosemërimin e anëtarit të dytë të PDK-së në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Pasi Osmani e ka dërguar këtë çështje në Gjykatën Kushtetuese, PDK ka deklaruar se presidentja po i mohon PDK-së të drejtën për emërimin edhe të një anëtari në KQZ, e sipas tyre, këtë po e bënë me qëllim që atë vend ta zë një ish-bashkëpartiake e presidentes.

Sekretari elektoral i PDK-së, Betim Gjoshi në një konferencë për media, ka thënë se presidentja Osmani po bënë shkelje kushtetuese duke i pamundësuar këtij subjekti përfaqësimin e dytë në KQZ dhe duke mos njohur të drejtën e subjektit politik VAKAT si më i votuari nga partitë e komunitetit boshnjak.

Gjoshi ka thënë se Osmani nuk po kujdeset për funksionimin kushtetues të KQZ-së por sipas tij është vënë në shërbim të partisë në pushtet.

Gjoshi: Presidentja Osmani po tenton t’i bëjë vend në KQZ anëtarit të tretë të Vetëvendosjes

 

Partia Demokratike e Kosovës i është përgjigjur ftesës së Presidentes Osmani për të nominuar përfaqësuesit për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, duke u mbështetur në të drejtën i jep Kushtetuta e Republikës së Kosovës. Por, Presidentja e vendit nuk ka njohur të drejtën tonë kushtetuese, në këtë rast, për të pasur dy përfaqësues në KQZ, sepse po tenton t’i bëjë vend në KQZ anëtarit të tretë të Vetëvendosjes, e që në këtë rast është një bashkëpartiake e zonjës Osmani. Fjala është për Gresa Bytyqi Kelmendi, e cila ka garuar në zgjedhjet e 14 shkurtit me numrin rendor 80 nga “Lista Guxo” e zonjës Osmani”, ka thënë Gjoshi.

Gjoshi duke u thirrur në nenin 139 të Kushtetutës së Kosovës, ka thënë se meqë nga zgjedhjet e 14 shkurtit janë katër grupe parlamentare shqiptare, grupet më të mëdha mund të emërojnë anëtarë shtesë.

Gjoshi: Presidentja Osmani dhe kryeministri Kurti po tentojnë të vjedhin mandatin e PDK-së në KQZ

 

“Presidentja Osmani dhe Kryeministri Albin Kurti, përmes orvatjeve në Gjykatën Kushtetuese, po tentojnë që t’ia vjedhin PDK-së përfaqësimin në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve që ia ka dhënë Kushtetuta. Besojmë fuqishëm në Gjykatën Kushtetuese institucion që e ka dëshmuar veten në mbrojtjen e kushtetutshmërisë tonë dhe do të pamundësojë këtë lojë të shëmtuar politike për të minuar funksionimin normal të demokracisë dhe të institucioneve në vendin tonë”, ka thënë ai.

Sipas Gjoshit, Osmani po e shfrytëzon zyrën e presidencës për nevoja të subjektit politik pjesë e së cilit ishte.

Ai ka thënë se do të shfrytëzojnë të drejtat për ankesë nëse presidentja dekreton anëtarët e KQZ-së dhe nuk i lejon PDK-së që të ketë anëtarin e dytë.

Kategoritë
Lajme

Të ngjajshmet