​Policia sqarohet për incidentin në Zubin Potok: Përkundër kërkimeve, nuk kemi gjetur gëzhoja të armës së shkrepur

Sqarim nga Policia e Kosovës lidhur me incidentin e datës 09.05.2021, në zonën e komunës së Zubin Potokut

Policia e Kosovës ka dhënë një sqarim për incidentin e së dielës në zonën e Komunës së Zubin Potok-ut, përkatësisht të fshatit Bube.

Në sqarim thuhet se me të marrë informatën për lidhur me incidentin kanë ndërmarr të gjitha veprimet operative dhe ato preliminare hetimore me qëllim të zbardhjes së rrethanave të incidentit të raportuar. Nga policia thonë se në fshatin Bube janë dërguar njësitet patrulluese policore të mbështetura nga hetuesit policor dhe Njësia për Reagim të Shpejtë, ku sic thuhet kanë kontrolluar zonën dhe kanë biseduar me banorë të asaj zone për të siguruar informata por që edhe përkundër kësaj, policia nuk ka arritur që të gjej prova materiale.

“Ju informojmë se lidhur me incidentin e datës 09.05.2021, në zonën e komunës Zubin Potok, përkatësisht të fshatit Bube, Policia e Kosovës, që nga pranimi fillestar i informacionit ka ndërmarr të gjitha veprimet operative dhe ato preliminare hetimore, me qellim të zbardhjes së rrethanave të incidentit të raportuar. Policia menjëherë ka ndërmarr veprimet në kërkim dhe identifikim të vendit të ngjarjes dhe provave të mundshme materiale. Në zonën malore të fshatit Bube, jane dërguar njësite patrulluese policore të mbështetura nga hetuesit policor dhe Njësia për Reagim të Shpejtë, të cilët kanë kontrolluar zonën dhe kanë biseduar me banorë të asaj zone, me qellim të sigurimit të informatave rreth rastit. Gjatë ditës së djeshme, edhe përkundër kërkimeve në terren, policia nuk ka arritur të gjej prova materiale përkatësisht gëzhoja të armës së shkrepur. Dëshmitaret e rastit, përkatësisht ankuesit e këtij rasti, sot gjatë ditës janë intervistuar nga Policia e Kosovës, pasi të njëjtit gjatë ditës së djeshme nuk kane dhëne deklarata me pretekst se deklaratat do ti deponojnë në polici në Prishtinë”, thuhet në sqarimin e policisë.

Ndërkohë që në orët e paradites, policia ka siguruar deklaratat e 10 ankuesve.

“Sot nga orët e paradites, policia ka siguruar deklaratat e dhjetë (10) ankuesve, ndërsa hetuesit policor së bashku me dëshmitaret dhe njësitë policore mbështetëse do të bëjnë serish shikimin e vendit të ngjarjes me qellim të kërkimit të provave materiale. Policia e Kosovës, ka kërkuar bashkëpunimin dhe ndihmën e banorëve të zonës se Zubin Potokut, për zbardhjen e rastit të raportuar. Të gjitha veprimet policore në lidhje me rastin do të koordinohen në bashkëpunim me prokurorinë themelore në Mitrovicë”, u tha mes tjerash në sqarimin e policisë.

Kategoritë
LajmeVendi

Të ngjajshmet