​PSD me aksion simbolik: Punëtorët në sektorin e shitjes me pakicë më të shtypurit

Partia Socialdemokrate përmes një aktiviteti ka shënuar 1 Majin – Ditën e punëtorëve. Duke listuar pesë supermarkete më të mëdha në Kosovë, socialdemokratët po vlerësojnë se punëtorët në sektorin e shitjes me pakicë janë më të shtypurit.

Pasi e vendosën një baner gjigand me emrin e këtyre supermarketeve, Nol Nushi nga PSD kërkoi nga qeveria Kurti përfshirjen e këtyre në punëtorë esencialë.

Nushi: Të gjithë punëtorët punojnë me paga të vogla dhe me orar të tejzgjatur

 

“Po e shënojmë ditën e përpjekjen e punëtorëve për kushte më të mira të punës. Për sektorin ku ka shtypje të madhe për sektorin e shitjes më pakicë, të gjithë punëtorët punojnë me paga të vogla dhe me orar të tejzgjatur. Këtu i kemi vendosur emrat e kompanive më të mëdha që punësojnë rreth 7 mijë punëtorë, ku para pak ditësh këto kompani janë subvencionuar me miliona euro e këto s’kanë shkuar tek punëtorë, por kanë mbetur te vet pronarët”, tha ai.

PSD vlerëson se shumica e këtyre punëtorëve nuk kanë kontrata dhe duke mos qenë të mospërfshirë në kontrata nuk kanë mundur të përfshihen në pako sa do të vogla që kanë qenë.

Nushi: Pandemia ka treguar se sektori i shitjes me pakicë është sektor esencial

 

“Pandemia ka treguar se sektori i shitjes me pakicë është sektor esencial, sikurse policët dhe mjekët që kanë punuar pa pushim edhe shitësit në këto markete kanë punuar pa pushim dhe na kanë shërbyer neve me ushqime dhe furnizime me gjëra të nevojshme. Kemi parë që këta punëtorë janë në kontakt me qytetarët dhe kanë qenë më të rrezikuarit edhe nga Covid dhe nga të gjitha qeveritë nuk janë trajtuar si qytetarë të rrezikuar nga pandemia. Ata nuk janë vetëm shitës, ata pastrojnë, punën e ngarkim-shkarkim dhe për sigurim”, tha ai.

Aktivistët e PSD-së kanë vendosur një pankartë në Lakrishtë, tek ura në hyrje të Prishtinës, me mbishkrimin “shitje me pakicë, shtypje me shumicë”.

Kategoritë
LajmeVendi