​Studimi i ri zbulon se sa zgjasin antitrupat pas koronavirusit

Antitrupat që neutralizojnë COVID-19 janë të pranishëm në gjak për të paktën tetë muaj pas infeksionit, sipas një studimi italian.

Kjo është e vërtetë “pavarësisht nga ashpërsia e sëmundjes, mosha e pacientit ose prania e patologjive të tjera”, sipas një studimi të kryer nga spitali prestigjioz “San Rafaele” në Milano në bashkëpunim me Institutin e Shëndetit Publik.

“Prania e antitrupave, megjithëse zvogëlohet me kalimin e kohës, është afatgjatë: tetë muaj pas diagnozës, vetëm tre pacientë” nga 162 (nga të cilët 29 vdiqën) nuk ishin më pozitivë për testin e antitrupave”, specifikoi studimi.

Përveç kësaj, fillimi i hershëm i antitrupave thuhet se është “thelbësor për të luftuar me sukses infeksionin: ata që nuk arrijnë t’i prodhojnë ato në dy javët e para pas infektimit kanë një rrezik më të lartë të zhvillimit të rëndë të COVID-19”.

Falë teknikave të përdorura tashmë për të studiuar vaksinat antiHIV, studiuesit kanë zhvilluar një metodë të re për vlerësimin e antitrupave që neutralizojnë SARS-CoV-2.

Studimi u krye në 162 pacientë pozitivë (67 për qind burra me moshë mesatare 63-vjeç), të cilët erdhën në shërbimin e urgjencës në “San Rafaelo” gjatë valës së parë të pandemisë në Itali.

Mostrat e para të gjakut u mblodhën në kohën e diagnozës në mars-prill 2020, dhe të fundit në fund të nëntorit 2020.

Nga këta pacientë, 57 për qind kishin patologji të tjera, kryesisht hipertension (44 për qind) dhe diabet (24 për qind).

Kategoritë
LajmeTë ndryshme