10 ambasadorë tërhiqen nga deklarata pasi që Erdogan urdhëroi të shpalleshin “persona non-grata”

Derisa pritej vendimi i Ankarasë në lidhje me 10 ambasadorët, faqja zyrtare e Ambasadës së SHBA-së ndau “Ne konfirmojmë se i përmbahemi nenit 41 të Konventës së Vjenës”. Edhe 9 vende të tjera ndanë të njëjtën deklaratë. Kjo deklaratë e bërë në mbledhjen e kabinetit është mirëpritur nga Erdogan.

Dhjetë ambasadorë, të cilët u urdhëruan të shpalleshin persona non grata për shkak se në një deklaratë të përbashkët kërkuan lirimin e Osman Kavalës, u tërhoqën. Ambasada amerikane ka bërë një deklaratë në llogarinë e saj në rrjetet sociale, “Shtetet e Bashkuara konfirmojnë respektimin e nenit 41 të Konventës së Vjenës për Marrëdhëniet Diplomatike, me rastin e disa pyetjeve në lidhje me deklaratën e 18 tetorit”. Ambasadat e vendeve të tjera gjithashtu ndanë të njëjtën deklaratë në llogaritë e tyre në mediat sociale.

Pas kryesimit të një mbledhjeje të kabinetit të hënën, Erdogan tha se të dërguarit perëndimorë, që janë kërcënuar me dëbim, e kanë mësuar mësimin e tyre dhe se “tani do të jenë më të kujdesshëm”.

“Qëllimi ynë nuk është absolutisht të krijojmë krizë, por të mbrojmë nderin tonë, krenarinë tonë, të drejtat tona sovrane”, tha Erdogan.

Mosmarrëveshja nisi kur ambasadat e Shteteve të Bashkuara, Gjermanisë, Kanadasë, Danimarkës, Finlandës, Francës, Holandës, Zelandës së Re, Norvegjisë dhe Suedisë në Turqi lëshuan një deklaratë të përbashkët, duke kërkuar lirimin e filantropistit të burgosur turk, Osman Kavala.

Erdogan tha në fundjavë se ka urdhëruar që të dërguarit e këtyre shteteve të shpallen “persona non grata”, apo të padëshirueshëm.

Shtetet e Bashkuara dhe disa nga vendet e tjera lëshuan më pas deklarata të njëjta, duke thënë se ato respektojnë konventën e Kombeve të Bashkuara që kërkon nga diplomatët të mos ndërhyjnë në punët e brendshme të vendit nikoqir.

Kategoritë
BotaLajme