18 vjet nga vdekja e Alija Izetbegoviçit

Alija Izetbegoviç lindi më 8 gusht 1925 në Bosanski Shamac. Ai i përkiste një familjeje të një beut të respektuar që jetonte në Beograd dhe që u shpërngul në Bosanski Shamac në vitin 1868.

Në këtë ditë 18 vjet më parë ndërroi jetë presidenti i parë i Presidencës së Republikës së Bosnjës dhe Hercegovinës, Alija Izetbegoviç, raporton Anadolu Agency (AA).

Alija Izetbegoviç lindi më 8 gusht 1925 në Bosanski Shamac. Ai i përkiste një familjeje të një beut të respektuar që jetonte në Beograd dhe që u shpërngul në Bosanski Shamac në vitin 1868. Babai i Izetbegoviçit, Mustafa, vendosi të shpërngulej në Sarajevë kur Alija ishte vetëm dy vjeç. Në Sarajevë, Alija Izetbegoviç mbaroi shkollën fillore dhe shkollën e mesme.

Izetbegoviç u arrestua në vitin 1946 kur ai ishte 21 vjeçar dhe u dënua me tre vjet burg për anëtarësim në organizatën “Muslimanët e Rinj” (Mladi muslimani). Ai u lirua nga burgu në vitin 1949.

Izetbegoviç u diplomua në Fakultetin Juridik në Sarajevë. Nga 1950 deri në vitin 1960, ai punoi si menaxher ndërtimi, ndërsa nga 1960 deri në 1982 si këshilltar ligjor në shumë kompani të Sarajevës.

Kaloi gjashtë vjet burg

Ai u arrestua në pranverën e vitit 1983 dhe u dënua me 14 vjet burg në verën e të njëjtit vit në rastin e montuar “Procesi i Sarajevës”, ku kaloi gjashtë vjet.

Pas lirimit nga burgu, Izetbegoviç themeloi Partinë e Veprimit Demokratik (SDA) në 1990 me një grup bashkëmendimtarësh, të cilët fituan më shumë vota në zgjedhjet e lira dhe më vonë do të luanin një rol kyç në mbrojtjen e Bosnje dhe Hercegovinës nga agresioni.

E gjithë bota e respektoi atë

Sipas vlerësimeve, në varrimin e Alija Izetbegoviçit morën pjesë më shumë se 100.000 njerëz. Supozohet se ky ishte numri më i madh i njerëzve që ndoqën ndonjëherë një varrim në Sarajevë.

Ai ishte i çmuar nga shumë krerë shtetërorë, ndërsa ka fituar edhe çmime dhe vlerësime të shumta nga e gjithë bota.

Alija vlerësohet si politikani më i shquar boshnjak në historinë e fundit të Bosnjës dhe Hercegovinës. Ai vdiq më 19 tetor 2003 nga problemet me zemrën.

Autor i një numri të madh të punimeve

Izetbegoviç është autor i një numri të madh të punimeve dhe studimeve, si dhe i librave: “Islami midis Lindjes dhe Perëndimit”, “Problemet e Rilindjes Islame” dhe “Deklarata Islame”. Në 1999 ai botoi librin “Ikja ime drejt lirisë”, si dhe në vitin 2000 librin “Kujtime”, që paraqet një regjistrim autobiografik.

Kategoritë
LajmeRajoni