4 të vrarë në Velipojë, Meta: Rendi e qetësia publike janë dëmtuar seriozisht, duhen masa të reja efektive

Presidenti Ilir Meta ka reaguar në lidhje më ngjarjen e rëndë që ndodhi orët e para të së dielës në Velipojë ku pas një përplasjeje me armë mbetën të vrarë katër persona dhe dy u plagosën. Në një postim në Facebook, kreu i shtetit shkruan se kjo është një tjetër ngjarje tronditëse që kërkon hetim të plotë të rrethanave dhe shkaqeve.

Meta shprehet se këto konflikte me armë zjarri që ndodhin në ambiente publike në kulmin e sezonit turistik, “vënë në rrezik jetën dhe shëndetin e dhjetëra qytetarëve, por nga ana tjetër dëmtojnë seriozisht imazhin e Shqipërisë tek turistët vendas dhe të huaj.”

Presidenti bën thirrje që secili autoritet  i lartë shtetëror duhet të mbajë përgjegjësitë e tij të detyrës dhe të heqë dorë nga ajo që kreu i shtetit e cilëson si “propagandë cinike që nuk mbulon dot të vërtetat që i shohim të gjithë.”

Rendi dhe siguria publike është dëmtuar seriozisht, shprehet Meta ndërsa bën thirrje për masa të reja efektive për garantimin e tyre, me qëllim mbrojtjen e jetës, shëndetit dhe të pronave të qytetarëve.

POSTIMI

“Përplasja me armë zjarri në Velipojë, me 4 viktima dhe 2 të plagosur, është një tjetër ngjarje tronditëse, që kërkon hetim të plotë të rrethanave dhe shkaqeve.
Prej kohësh i kam bërë thirrje, në mënyrë të vazhduar, Policisë së Shtetit dhe strukturave të tjera të sigurisë dhe të zbatimit të ligjit, të angazhohen maksimalisht për të mbajtur nën mbikqyrje territorin e vendit, që paraqet rrezik të shtuar për konflikte, me qëllim parandalimin në kohë të këtyre veprave të rënda penale.
Konfliktet me armë zjarri, që konsumohen në ambiente publike dhe në kulmin e sezonit turistik, vënë në rrezik jetën dhe shëndetin e dhjetëra qytetarëve, por nga ana tjetër dëmtojnë seriozisht imazhin e Shqipërisë tek turistët vendas dhe të huaj. Plazhet dhe qendrat e qyteteve tona nuk e meritojnë t’i ngjajnë shesh-betejave të “Wild West”.
Ndaj në këtë situatë, që duket se ka dalë jashtë kontrollit dhe që çdo ditë prodhon fatkeqësisht viktima, secili autoritet i lartë shtetëror duhet të mbajë përgjegjësitë e tij të detyrës dhe të heqë dorë nga propaganda cinike, që nuk mund të mbulojë të vërtetat, që i shohim të gjithë.
Rendi dhe siguria publike është dëmtuar seriozisht dhe kërkojnë masa të reja efektive për garantimin e tyre, me qëllim mbrojtjen e jetës, shëndetit dhe të pronave të qytetarëve.” 
Kategoritë
LajmeRajoni