A dështoi shteti me rastin e helmimit në komunën e Deçanit

Thënia e Audrey Hepburn: “Uji është jetë dhe uji i pastërt është shëndet”, nuk doli të jetë shumë e saktë për qytetarët e komunës së Deçanit, pasi nga data 10 korrik deri më 13 korrik 2021, mbi 1500 qytetarë të kësaj komune, prej tyre rreth 50 fëmijë, u helmuan nga çka po konsiderohet shkaktari kryesor – uji jo i pastër i ujësjellësit.

Me datë 11 korrik 2021 Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike ka marrë mostra nga uji i ujësjellësit i cili i furnizon fshatrat me pije dhe pas analizave ka dalë se parametrat mikrobiologjik dhe fiziko-kimik kanë qenë brenda direktivave të UA 16/2012, kurse në mostrat e ujit të marra me datë 12 korrik 2021 në komunën e Deçanit janë identifikuar disa bakterie që mundë të japin indikacion për kontaminimin e ujit të pijshëm.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike, me dy komunikata shumë të vonuara për media, është sqaruar për këtë çështje. Në komunikatën e parë, me gjashtë ditë vonesë, njoftoi se uji nga kaptazha e Drenocit, konsiderohet  ujë jo i pijshëm për shkak të pranisë së bakterieve koliforme dhe Escherichia Coli si dhe sasisë 0.00 të klorit residual, gjithashtu njoftoi se janë duke vazhduar ekzaminimet mikrobiologjike nga mostrat e pranuara prej pacientëve me simptoma të infeksionit. Në komunikatën e dytë, me gjashtë ditë vonesë, IKSHP-ja njoftoi se në në dy mostrat e fecesit, të dërguara më datën 15 korrik 2021, për testim në laboratorët jashtë Kosovës, janë detektuar Norovirus GI/GII, Enteropathogenic E.Coli (EPEC) dhe Enterotoxigenic E.Coli (ETEC).

A janë gjashtë ditë prej ditës të lajmrimit të rastit të parë, kohë e mjaftueshme për informimin e qytetarëve se uji nuk është i konsumueshëm, duke marrë parasysh se Escherichia Coli i pranishëm në ujë, mund të shkaktojë sëmundje gastrointenstinale, infeksione të lëkurës, veshit, syrit, dhe plagëve eventuale, tek personat që e konsumojnë. Simptomat më të zakonshme të raportuara janë: ngërçet në stomak, diarreja, të përzierat, simptoma të cilat kanë qenë mjaft të pranishme tek shumica e të helmuarve në komunën e Deçanit.

Në Raportin e fundit të vitit 2017 publikuar nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike, lidhur me ujin, është raportuar për parametrat mikrobiologjik dhe fiziko-kimik të ujit, në 7 Kompanitë Rajonale të Ujësjellsit. Raporti thotë se 99.54 %  të mostrave janë në përputhje me parametrat mikrobiologjik, kurse 98.58 % janë në përputhje me parametrat kimik.

Ku janë raportet e viteve 2018, 2019, 2020? Pse nuk janë të çasshme?  Ku mund t’i gjejmë këto raporte, nëse veç janë publikuar?

Çfarë pune ka bërë Instituti Hidrometerologjik i Kosovës në lidhje me cilësinë e ujërave? Çfarë analiza të ujit bën? Ku janë raportet e këtyre analizave dhe pse nuk janë publike?

Çfarë pune ka bërë Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës në lidhje me këtë gjë, kur dihet se në misionin e saj ka mbrojtjen dhe përmirësimin e mjedisit, si një pasuri e vlefshme për popullin e Kosovës, mbrojtjen e mjedisit nga efektet e dëmshme të ndotjes e në visionin e saj: mjedisin e pastër, të shëndetshëm dhe të mbrojtur e mbështetur mirë nga një shoqëri dhe ekonomi e qëndrueshme. Cilat janë hapat e saktë që do të ndërmirren në lidhje me këtë rast? A ka plan veprimi? Çka do të ndodhë nëse përsëritet rasti i njejtë në ndonjë pjesë tjetër të Republikës së Kosovës?

A është më e rëndësishme jeta e qytetarit të Deçanit apo pranim-pezullimi i marrëveshjes së nënshkruar në mes të MMPHI-së dhe kompanisë Auto Control Kosova, për ofrimin e shërbimit me tiketa ngjitëse.

IKSHP, IHMK dhe MMPHI kanë “kontributin” e tyre në këtë dështim.

Instituti i Pavarur i Ushqimit u rekomandon qytetarëve të Deçanit: mos konsumoni ujin e ujësjellësit deri në njoftimin e radhës nga IKSHP-ja, pasi pasojat mund të jenë shumë të rrezikshme.

Kategoritë
LajmeVendi