Abazoviq i përgjigjet Beogradit për “Srebrenicën”: Mali i Zi është shtet i pavarur, vendos vetë për fatin e tij

Në Mal të Zi janë thelluar mosmarrëveshjet dhe përplasjet politike, jo vetëm midis shumicës dhe opozitës, por edhe brenda koalicionit qeverisës.

Shkarkimi i ministrit të Drejtësisë dhe të Drejtave të Njeriut dhe Pakicave, Vladimir Leposaviq për qëndrimin e tij mohues ndaj gjenocidit në Srebrenicë dhe miratimi i një rezolute për Srebrenicën, nxitën tensione politike duke shkaktuar një krizë qeveritare që mund të sjellë edhe zgjedhje të parakohshme në Mal të Zi.

Partia pro-ruse, Fronti demokratik, vuri në dukje se shumica aktuale parlamentare në Mal të Zi nuk ekziston më, duke paralajmëruar bojkotimin e parlamentin dhe krizën qeveritare në vend.

Përfaqësuesit e kësaj partie theksuan se “ votimi për rezolutën e Srebrenicës, e cila nuk u votua as nga Parlamenti i Bosnje-Hercegovinës, është në dëm të popullit serb dhe Republikës Serbe”.

Edhe autoritetet e Beogradit reaguan në mënyrë të ashpër duke i cilësuar veprimet e Podgoricës si “tradhtare dhe kundër popullit serb.”

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, iu drejtua popullit serb në Mal të Zi duke i mbështetur në qëndrimin e tyre. Ai tha se “ Rezoluta e miratuar është kundër interesave të Serbisë, por serbët në Mal të Zi duhet ta mbajnë kokën lartë”.

Ndërkaq, ministri i Punëve të Brendshme të Serbisë, Aleksandar Vulin theksoi se do të kërkojë që ndaj deputetëve malazezë që votuan për rezolutën tu ndalohet hyrja në Serbi.

” Unë do të kërkoj që të ndalohet hyrja në Serbi të atyre që votuan për rezolutën. Le të takohen me familjarët e tyre, të sistemuara mirë në Beograd, në Mal të Zi”, tha Vulin.

Kryeministri aktual i Malit të Zi, Zdravko Krivokapiq ka dhënë propozimin për shkarkimin e ministrit të Drejtësisë, Vladimir Leposaviq, pasi ai nuk pranoi të jepte dorëheqje. Ai ka thënë se ministri është dashur të flasë rreth Srebrenicës në frymën e politikës së Qeverisë.

Megjithatë, Krivokapiq e cilësoi si të panevojshme miratimin e rezolutës për Srebrenicën.

“Rezoluta për Srebrenicën nuk është dashur të miratohet në parlament, pasi Mali i Zi e ka mbështetë Deklaratën e Parlamentit Evropian për ngjarjet në Srebrenicë”, tha Krivokapiq.

Krivokapiq akuzoi pratinë pro-ruse Fronti Demokratik, e cila, sipas tij, në bashkëpunim me Beogradin ka për qëllim rrëzimin e qeverisë aktuale të Malit të Zi.

Kategoritë
LajmeRajoni