Abbas do të propozojë mbrojtje ndërkombëtare për palestinezët

Në një fjalim në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, presidenti Abbas do të njoftojë nismën e tij për t’i siguruar mbrojtje popullit palestinez kundër shkeljeve izraelite

Presidenti palestinez Mahmoud Abbas planifikon të zbulojë një nismë muajin e ardhshëm për sigurimin e mbrojtjes ndërkombëtare për palestinezët kundër shkeljeve izraelite, tha zëdhënësi i tij, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një fjalim në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, Abbas do të njoftojë nismën e tij “për t’i siguruar mbrojtje popullit tonë, për t’i dhënë fund pushtimit (izraelit) dhe për të krijuar shtetin e pavarur palestinez, me Kudsin Lindor si kryeqytetin e tij, në kufijtë e vitit 1967”, tha Nabil Abu Rudeineh për Radion Palestineze zyrtare.

Megjithatë, ai nuk dha detaje për nismën.

Udhëheqësit turq kanë kërkuar prej kohësh krijimin e një force ndërkombëtare për të mbrojtur palestinezët, veçanërisht që nga muaji maj, kur Izraeli vrau dhjetëra palestinezë dhe plagosi qindra.

Abu Rudeineh përshëndeti gjithashtu thirrjen e SHBA-së për Izraelin që të ndalojë dëbimin e palestinezëve nga shtëpitë e tyre në lagjen Sheikh Jarrah në Kudsin Lindor të pushtuar, duke i kërkuar gjithashtu Washington-it “të ndërmarrë hapa konkretë në terren” për të parandaluar planet e izraelitëve për dëbim.

Të hënën, Gjykata e Lartë e Izraelit shtyu vendimin përfundimtar rreth apelit të katër familjeve palestineze në Sheikh Jarrah, të cilët përballen me dëbim për t’i lëshuar hapësirë kolonëve hebrenj.

Palestinezët, megjithatë, vazhdojnë të përballen me kërcënimet izraelite që i detyrojnë ata t’i lënë shtëpitë e tyre.

Sipas shifrave të publikuara nga Zyra e OKB-së për Koordinimin e Çështjeve Humanitare (OHCA), Izraeli ka vrarë 48 palestinezë në Bregun Perëndimor të pushtuar që nga fillimi i vitit.

Autoritetet izraelite gjithashtu kanë shkatërruar 532 struktura palestineze dhe kanë zhvendosur 737 palestinezë nga shtëpitë e tyre gjatë së njëjtës periudhë.

Kategoritë
BotaLajme