Abdixhiku: Pres përgjigje nga Lëvizja Vetëvendosje për shkurtim të fushatës

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, tha se fushata elektorale e zgjedhjeve të 14 shkurtit ka ndikuar në rritjen e dukshme të numrit të të prekurve me Covid 19, prandaj subjekti që ai drejton u ka bërë thirrje partive parlamentare për organizimin e një fushate jo konvencionale për zgjedhjet lokale të 17 tetorit.

“Kemi bërë një adresim gjithë politik, partiak të partive parlamentare me idenë e shkurtimit të fushatës konvencionale, ajo që njihet si fushatë e tubimeve të mëdha, fushatë e takimeve të mëdha me qindra mijëra njerëz, tubime që çdo parti mund t’i organizojë lehtë, dhe ftesë për kalimin e një fushate digjitale, jo konvencionale, meqenëse në zgjedhjet e fundit ishin këto parti politike që në masë të madhe për shkak të organizimit elektoral i kishin dhënë shtytje rritjes së numrit të rasteve. “ tha Abdixhiku në Rubikon të Klan Kosovës.

Kryetari i LDK-së thotë se për këtë ende është duke e pritur përgjigjen e Lëvizjes Vetëvendosje, derisa shtoi se pavarësisht përgjigjes së këtij subjekti, Lidhja Demokratike do të sillet konform logjikës së organizimit të fushatës në një mënyrë që nuk rrezikon rritjen e numrit të të prekurve me COVID-19.

“Së paku kur mua ma adresojnë një ftesë për dialogun apo çështje të tjera i përgjigjem dhe pres të më përgjigjet, sepse bëhet fjalë për një marrëveshje gjentelmene, pra jo detyrim ligjor, sepse nuk mund ta ndryshojmë ligjin, por mund të merremi vesh si të sillemi në fushatë për t’i mbrojtur qytetarët tanë. Pavarësisht të gjithave, ne do të sillemi konform kësaj logjike dhe ditëve në vazhdim do t’i bëjmë publike qëndrimet tona, por konsideroj se do të ishte e udhës që kryeministri t’i prijë një iniciative të tillë.”

Tutje Abdixhiku tha se është në dorën e kryeministrit të vendosë se a do të mbajë Lëvizja Vetëvendosje fushatë 30 për ditë, por se me një veprim të tillë do t’i kontribuonte përkeqësimit të situatës me të infektuar.

“Organizimi i fushatës konvencionale kontribuon dukshëm në krijimin e masës, krijimi i masës kontribuon në dukshëm përhapjen e virusit pavarësisht a jemi të vaksinuar apo jo, sepse edhe të vaksinuarit po e bartin virusin, e të pa vaksinuarit po e paguajnë këtë bartjeje me jetë. Unë pres reagim pozitiv, sepse ka njerëz brenda Vetëvendosjes që ndjejnë me qytetarë sepse kjo çështje është e ndjenjave bazike elementare të një politikani ndaj njerëzve të vetë, votuesve të vetë dhe do ta bëjnë një thirrje më të fuqishme dhe të japim shembull të mirë për vendet tjera po ashtu.”

Kujtojmë se një javë më parë, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, u është drejtuar krerëve të partive parlamentare, duke kërkuar që të bien dakord që të shkurtohet në 10 ditë fushata zgjedhore për zgjedhjet lokale të 17 tetorit

Kategoritë
LajmeVendi