Aeroplani turk me 200 persona fluturoi nga Kabuli

Pasi pritën në zonën e sigurt të Aeroportit Ndërkombëtar “Hamid Karzai”, grupi i shtetasve turq u largua nga Afganistani me një aeroplan A400M

Një aeroplan i Forcave të Armatosura Turke që mbante mbi 200 shtetas turq u largua nga kryeqyteti afgan Kabul, raporton Anadolu Agency (AA).

Pasi pritën në zonën e sigurt të Aeroportit Ndërkombëtar “Hamid Karzai”, grupi u largua nga Afganistani me një aeroplan A400M, i njohur gjithashtu edhe si “kalaja fluturuese”.

Përderisa puna për evakuimin e shtetasve turq vazhdon, ata të cilët u sollën nga qendra e qytetit të Kabulit në zonën e sigurt në aeroport dhe tani presin fluturimet, për AA rrëfyen gjërat që kanë përjetuar dhe situatën në Kabul.

Nakimola Çolak, që erdhi nga provinca jugore turke Hatay në Afganistan tre vjet më parë, tha se arritën në aeroport pa asnjë problem.

Kadir, një shtetas tjetër turk, tha se ai punoi për dy vjet në aeroport duke mirëmbajtur dhe riparuar sistemet e sigurisë.

“Hyrja e talebanëve në Kabul, gjithçka ndodhi brenda një dite”, tha ai, duke shtuar: “Ne kontaktuam menjëherë ambasadën tonë dhe Ministrinë e Jashtme. Ne jemi të sigurt tani dhe shpresojmë se do të fluturojmë për në vendin tonë”.

– Procesi i dominimit të talebanëve në vend

Në kuadër të marrëveshjes së paqes të arritur në shkurt 2020 mes SHBA-së dhe talebanëve, këtë vit filloi procesi i tërheqjes së forcave ndërkombëtare nga Afganistani.

Teksa marrëveshja parashikon që forcat e huaja të mos sulmohen, ajo nuk parashikon ndonjë dispozitë në lidhje me veprimet e talebanëve ndaj forcave afgane të sigurisë.

Talebanët të cilët vazhdojnë negociatat në Doha me qeverinë afgane, me sulme të ashpra të ndërmarra në mënyrë të njëkohshme që nga qershori dominuan me shpejtësi shumë rajone dhe qendra provinciale në Afganistan.

Duke rrethuar kryeqytetin Kabul, talebanët morën kontrollin e qytetit pa konflikt pasi presidenti Ashraf Ghani u largua nga vendi më 15 gusht.

Kategoritë
BotaLajme