Afrikë e Jugut, mbreti i popullit Zulu thirrje për ndaljen e plaçkitjeve dhe dhunës në vend

Mbreti Misuzulu Zulu, i cili drejton grupin më të madh etnik në vend, bëri thirrje për t’i dhënë fund dhunës pas disa ditësh protestash

Mbreti i popullit Zulu, grupi më i madh etnik i Afrikës së Jugut, u kërkoi pjesëtarëve të këtij fisi të përmbahen nga dhuna dhe plaçkitjet pas disa ditësh trazirash të përhapura në vend, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Ju bëj thirrje juve, njerëzve të babait tim, kombit Zulu, të tërhiqeni nga shkatërrimi i kombit tonë, Afrikës së Jugut. Unë apeloj që qetësia dhe paqja të rivendosen”, tha mbreti Misuzulu Zulu në një fjalim televiziv.

Trazirat e dhunshme dhe plaçkitjet shpërthyen të enjten e kaluar në provincën lindore KwaZulu-Natal, e cila bie nën juridiksionin e mbretit, pas burgosjes së ish-presidentit Jacob Zuma.

Protestat u përhapën më pas në Johanesburg, ku dyqanet kryesore janë plaçkitur dhe disa janë djegur.

Mbreti Zulu tha se dhuna dhe plaçkitjet nuk janë mënyra e duhur për të shprehur zhgënjimin për burgosjen e Zuma-s.

Zuma, 79 vjeç, filloi të vuajë një dënim me burg për përbuzje të gjykatës në KwaZulu-Natal të mërkurën në mbrëmje.

“Plaçkitja na ka sjellë turp, ndërsa gishtat drejtohen drejt nesh, njerëzve të babait tim”, tha mbreti.

Zulu shtoi se varfëria dhe papunësia mund të jenë shkaku i plaçkitjes, por u bëri thirrje ndjekësve të tij të përmbahen.

“Ky kaos po shkatërron ekonominë e vendit tonë dhe të varfrit dhe të rrezikuarit do të preken më shumë. Ne do të jemi të uritur pasi kamionët nuk dorëzojnë ushqim”, tha ai.

Monarku, i cili respektohet gjerësisht në mesin e 11 milionë pjesëtarëve të popullit Zulu në vend, tha se zinxhirët jetikë të furnizimit janë dëmtuar dhe jugafrikanët do t’i vuajnë pasojat.

“Do të jenë familjet tona që do të vuajnë. Njerëzit e babait tim po bëjnë vetëvrasje. Kombi ynë është i respektuar në gjithë botën. Le ta ndalojmë dhunën”, apeloi ai.

“Le të mos lejojmë që politika të njollosë kombin tonë, ne jemi shumë më të mirë se kjo. Ne jemi njerëz me dinjitet”, theksoi mbreti Zulu.

Kategoritë
BotaLajme