Ahmeti: Numri i viktimave nga Covid-19 është bilanc lufte

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka thënë se “numri i viktimave ende po diskutohet si hendikep për VV për zgjedhje lokale, por ky numër nuk është çështje fushate më, pasi ky është bilanc lufte”.

Ahmeti, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se “Gjendja e jashtëzakonshme duhet të trajtohet si e tillë. 18 viktima nuk është statistikë”.

“Numri i viktimave ende po diskutohet si hendikep për VV për zgjedhje lokale. Nuk është çështje fushate më. Ky është bilanc lufte. Gjendja e jashtëzakonshme duhet të trajtohet si e tillë. 18 viktima nuk është statistikë. Qeveri e opozitë – kthjelluni!”, ka shkruar Ahmeti.

Ministria e Shëndetësisë e Kosovës njoftoi të shtunën se 18 persona kanë vdekur dhe janë regjistruar edhe 1.891 raste të reja.

Viktima u regjistruan tri në Komunë e Prizrenit dhe Gjakovës, dy në Pejë, Prishtinë dhe Gjilan dhe nga një i vdekur u shënua në Deçan, Lipjan, Istog, Suharekë, Podujevë dhe Klinë. Rastet e reja dalin pas testimin të 13.120 mostrave.

Ndërkaq, sa i përket grupmoshave më të prekura nga COVID-19, sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë, 381 persona të grupmoshës 30-39 vjeç janë infektuar në 24 orëshin paraprak, 353 të moshës 40-49 vjeç dhe 328 të grupmoshës 20-29 vjeç.

Prishtina prin me numrin më të lartë të infektive, ku janë regjistruar 396 raste të reja.

Kategoritë
LajmeVendi