Aksident trafiku në Banjë të Malishevës, dy të lënduar

Dy persona kanë marrë lëndime si pasojë e një aksidenti të komunikacionit sonte rreth orës 18:00 në aksin rrugor Malishevë – Dule, përkatësisht në Banjë të Malishevës.

Nysret Gjurkaj, zëdhënës i policisë rajonale për Gjakovë ka konfirmuar se në aksident kanë qenë të përfshira dy automjete.

“Deri tek aksidenti ka ardhur derisa i dyshimti po drejtonte automjetin e tij “Mercedes”, i cili ishte duke lëvizur përgjatë aksit rrugor Malishevë – Dule dhe kur arrin në fshatin Banjë nuk përshtat shpejtësinë e lëvizjes automjetit, ku rruga është me kthesë dhe humb kontrollin mbi automjetin e tij duke dalë nga shiriti i djathtë në të majtë dhe me pjesën ballore e godet automjetin “Alfa Romeo” që po lëvizte në drejtim të kundërt. Si pasojë e aksidentit në të dy automjetet shkaktohen dëme materiale dhe dy të lënduar”, tha ai.

Personat e lënduar janë dërguar për trajtim mjekësor në Emergjencën e Malishevës, ku njëri prej tyre, për shkak të frakturave, është transferuar në QKUK Prishtinë për trajtim të mëtejshëm. Sipas mjekut kujdestar, personat e lënduar janë jashtë rrezikut për jetë.

Prokurori i Shtetit ka autorizuar hetuesit t’i zhvillojnë hetimet dhe rasti të dërgohet në procedurë të rregullt.

Kategoritë
LajmeVendi