Aktivisti për të drejtat e njeriut kritikon Gjermaninë për “diskriminim racor” ndaj refugjatëve

Siç thekson ai, diskriminimi ndaj refugjatëve joevropianë në Gjermani duhet të “dënohet”, duke shtuar më tej: “Ky është diskriminim racor. Siç thoni ju, njerëzit me ngjyrë kafe dhe me sy blu po trajtohen ndryshe”

Një aktivist për të drejtat e refugjatëve me bazë në Berlin ka kritikuar ashpër qeverinë gjermane për atë që ai tha se është trajtim i pabarabartë në baza racore ndaj refugjatëve nga Ukraina dhe Lindja e Mesme.

Duke folur për Anadolu Agency (AA), Biplab Basu, i cili është konsulent në organizatën joqeveritare ‘ReachOut’, thotë se “kjo është e neveritshme, që njerëzit që po ikin nga lufta, që po ikin nga bombardimet, të trajtohen ndryshe”.

“Kjo është e pakëndshme, që refugjatët nga Lindja e Mesme, India, Pakistani dhe vende të ndryshme afrikane janë trajtuar krejtësisht ndryshe dhe në mënyrë racore”, thekson Basu.

Siç thotë ai, diskriminimi ndaj refugjatëve joevropianë në Gjermani duhet të “dënohet”, duke shtuar më tej: “Ky është diskriminim racor. Siç thoni ju, njerëzit me ngjyrë kafe dhe me sy blu po trajtohen ndryshe”.

Ka pasur raportime të shumta në mediat gjermane se refugjatët ukrainas kanë marrë trajtim të privilegjuar në krahasim me refugjatët nga Lindja e Mesme dhe Afrika.

Derisa refugjatët ukrainas mund të hyjnë lehtësisht në Gjermani, thuhet se banorët e Lindjes së Mesme dhe afrikanët po mundohen nga policia kufitare gjermane.

Po ashtu thuhet se refugjatët joevropianë po dëbohen nga strehimoret dhe shtëpitë e tyre në Gjermani për t’u siguruar vend refugjatëve ukrainas.

Ndërkohë, Basu konfirmon raportimet e mediave për diskriminimin e vazhdueshëm, si dhe thekson se ministri i drejtësisë i shtetit të Berlinit në fakt së fundmi ka dhënë një deklaratë kundër keqtrajtimit të refugjatëve joevropianë.

“Ne kemi raportime nga njerëz që nuk u pranuan ose që u nxorën nga radhët nga policia federale në stacionin hekurudhor Hauptbahnhof në Berlin. Ata u dërguan në stacionin e policisë dhe u mbajtën me orë të tëra dhe u morën në pyetje. Qeveria gjermane mund ta ndalojë këtë. Unë nuk them se qeveria gjermane duhet të shkojë në Poloni dhe të ndalojë njerëzit të diskriminohen, por mund ta bëjë këtë në territoret e veta”, shprehet Basu.

Ai thekson se qeveria gjermane duhet t’u dërgojë një sinjal shumë të fortë partnerëve evropianë që të mos i trajtojë refugjatët nga Lindja e Mesme, Azia ose Afrika në baza racore.

Që nga fillimi i luftës së Rusisë në Ukrainë më 24 shkurt, mbi 350 mijë refugjatë ukrainas kanë hyrë në Gjermani.

Kategoritë
BotaLajme