Aktivitetet për vetëdijësimin dhe trajtimin e kancerit të gjirit, Presidentja Osmani dekoron onkologen Ernesa Xhafa

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osman  në një ceremoni të mbajtur në Presidencë, në vazhdën e aktiviteteve për vetëdijesim dhe trajtim të kancerit të gjirit, me motivacionin për promovimin e vlerave humane dhe integritetit profesional ka dekoruar me Medaljen Presidenciale “Shën Tereza”, organizatën “Jeta-Vita” dhe onkologen Ernesa Xhafa, e cila punon në Britani të Madhe.

Organizata joqeveritare “Jeta-Vita”, merret me ngritjen e vetëdijes së shoqërisë ndaj kancerit të gjirit dhe zbulimin e hershëm të tij.

Presidentja Osmani ka vlerësuar punën e kësaj organizata, ndaj ka theksuar se guximi në veprim shpëton jetë, sikurse edhe informimi i drejtë që mundëson vetëdijesimin dhe mbrojtjen nga kanceri i gjirit.

Sipas saj, angazhimi për vetëdijesim dhe trajtim të kancerit, duhet të jetë aktivitet përgjatë gjithë vitit, përcjell Klankosova.tv.

“Synimi i organizatës është më se i qartë: kanceri i gjirit, të zbulohet, të trajtohet dhe informatat të arrijnë te secila grua dhe në të gjitha shtëpitë kosovare”, tha Osmani.

Sipas Presidentes Osmani, angazhimi i doktoreshës Ernesa ka ngjallur shpresën për ata që vuajnë nga kanceri i gjirit.

“Puna e doktoreshës Ernesa është frymëzim për të gjithë njerëzit, për ata që u sfiduan nga kanceri dhe ata që po sfidohen. Kjo dëshmon se përpjekja dhe guximi e bëjnë të mundshme ngadhënjimin, kur e ke afër një humaniste si doktoresha Ernesa” u shpreh Presidentja.

Kategoritë
LajmeVendi