Albulena Haxhiu thotë se e ka mbështetjen e Komisionit të Venecias për reformimin e Sistemit Prokurorial

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se ka marrë mbështetje nga Komisioni i Venecias për reformimin e sistemit prokurorial pas pjesëmarrjes në Mbledhjen Plenare të këtij komisioni.

Haxhiu në facebook ka shkruar se në përgjigjen e kërkesës së Ministrisë që drejton Komicioni i Venecias ka konfirmuar nevojë për reformi të Këshillit Prokurorial.

“Sapo dolëm nga takimi në kuadër të Mbledhjes Plenare të Komisionit të Venecias ku u diskutua nisma e Ministrisë së Drejtësisë për të reformuar Këshillin Prokurorial të Kosovës. Ndryshimet në këtë projektligj janë rekomandime që rrjedhin nga Strategjia për Sundimin e Ligjit 2021–2026, e cila tashmë ka filluar të zbatohet.Në përgjigje të kërkesës tonë, Komisioni i Venecias konfirmoi nevojën për reformim të Këshillit Prokurorial. Komisioni i Venecias i jep dritë të gjelbër ndryshimeve ligjore në sistemin prokurorial dhe ofron rekomandime specifike për plotësimin e mëtejshëm të projekt-ligjit, për të sigurar përfaqësim të balancuar”, ka shkruar ministrja Haxhiu.

Haxhiu ka shkruar se Grupi Punues do ta vijojë punën në projekt-ligjin për KPK-në në përputhje me rekomandimet.

“I mirëpresim këto rekomandime. Grupi Punues do të vijojë punën në projekt-ligjin për Këshillin Prokurorial të Kosovës në përputhje me rekomandimet në fjalë. Reforma në sistemin prokurorial njëjtë si ajo në drejtësi do të ndodhë dhe kjo, në përputhje me standardet vendore kushtetuese, rekomandimet e Komisionit të Venecias si dhe në përputhje me praktikat më të mira ndërkombëtare”, është shprehur ajo.

Kategoritë
LajmeVendi