Algjeri – Tebboune: Ne s’do t’i harrojmë krimet e kolonializmit francez

Presidenti i Algjerisë, Abdelmadjid Tebboune, deklaroi të premten se nuk do t’i harrojnë krimet e kolonializmit francez, nuk do të heqin dorë nga e drejta e tyre për të rimarrë arkivat dhe nga përpjekjet e tyre për të zbuluar fatin e të zhdukurve.

Me anë të një deklarate me shkrim nga uebfaqja zyrtare e Presidencës algjeriane, Abdelmadjid Tebboune publikoi një mesazh drejtuar popullit me rastin e 60-vjetorit të marrëveshjes së armëpushimit ndërmjet vendit të tij dhe Francës.

Duke theksuar se krimet e kolonializmit francez nuk do të harrohen kurrë dhe do të mbahet gjithnjë në rend të ditës, presidenti algjerian vuri në pah se vendi i tij s’do të heqë dorë nga e drejta e tij për të rimarrë arkivat dhe nga përpjekjet e tij për të zbardhur fatin e zhdukurve gjatë luftës çlirimtare.

Tebboune tha gjithashtu se qeveria do të kërkojë dëmshpërblim për njerëzit që humbën jetën si pasojë e testeve bërthamore të kryera nga Franca në jug të Algjerisë gjatë periudhës koloniale.

Algjeria, e cila është shembulli më aktual dhe më i përgjakshëm i historisë koloniale të Francës në kontinentin afrikan, filloi luftën e saj për pavarësi më 1 nëntor 1954.

Ndërsa Algjeria konsiderohet si një prej shteteve që pagoi çmimin më të rëndë për këtë kauzë me luftën e saj 8-vjeçare për pavarësi, dhimbjet e papërshkrueshme të algjerianëve u shkruan në histori si “njolla e zezë” që Franca la pas gjatë tërheqjes nga Afrika.

Përgjatë viteve të luftës çnjerëzore në vend, gati 1,5 milionë algjerianë humbën jetën dhe miliona të tjerë u zhvendosën.

Vlen të theksohet gjithashtu se Franca ka kryer të paktën 17 prova bërthamore, 4 prej të cilave mbi tokë dhe 13 të tjera nën tokë, në Shkretëtirën Algjeriane mes viteve 1960-1966.

Algjeri zyrtar kërkon që të zbulohet vendndodhja e mbetjeve bërthamore dhe të dëmshpërblehen familjet e viktimave dhe personat që vuajnë nga paaftësia e përhershme për shkak të testeve nukleare franceze, mirëpo Parisi i refuzon këto kërkesa.

Kategoritë
BotaLajme