Algjeria planifikon të organizojë një takim për fraksionet palestineze

Lideri algjerian po ashtu tha se vendi i tij do të japë 100 milionë dollarë për Palestinën dhe 300 bursa për studentët palestinezë

Presidenti i Algjerisë, Abdelmadjid Tebboune, ka bërë të ditur se vendi i tij planifikon që së shpejti të organizojë një takim për fraksionet palestineze, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Ne kemi vendosur të organizojmë një takim për të gjithë fraksionet palestineze”, tha presidenti Tebboune në një njoftim pas bisedimeve në Algjer me presidentin palestinez, Mahmoud Abbas.

Megjithatë, ai nuk specifikoi një datë për takimin e planifikuar.

Lideri algjerian po ashtu tha se vendi i tij do të japë 100 milionë dollarë për Palestinën dhe 300 bursa për studentët palestinezë.

Një ndarje politike dhe gjeografike që nga viti 2007 ka mbizotëruar në territoret palestineze që kur grupi i rezistencës Hamas fitoi zgjedhjet legjislative një vit më parë.

Lëvizja Fatah e presidentit Abbas që atëherë ka udhëhequr në Bregun Perëndimor, ndërsa Hamas në Rripin e Gazës. Shumë përpjekje për t’i dhënë fund përçarjes mes dy lëvizjeve rivale kanë dështuar.

Kategoritë
BotaLajme