Algjerianët festojnë Ditën e Pavarësisë duke rikujtuar “luftën legjendare” kundër kolonializmit francez

Sundimi francez në vendin e Afrikës Veriore përfundoi më 5 korrik të vitit 1962, ndërsa lufta kundër pushtimit la rreth 1,5 milion njerëz të vdekur, duke prekur çdo familje në vend

Algjerianët festojnë përvjetorin e 59-të të Ditës së Pavarësisë, duke kujtuar çmimin e rëndë që ata paguan për të fituar lirinë nga sundimi kolonial francez.

Sundimi francez në vendin e Afrikës Veriore me një vijë bregdetare mesdhetare përfundoi më 5 korrik të vitit 1962. Lufta kundër pushtimit la rreth 1,5 milion njerëz të vdekur, duke prekur çdo familje në vend.

Edhe 60 vjet më vonë, Franca ende nuk ka vepruar kundër autorëve të gjenocidit, torturave, vrasjeve apo edhe për të kompensuar vendin për veprimet e kryera nga forcat e saj.

“Algjerianët janë shumë krenarë për luftën e tyre legjendare dhe luftën e tyre të armatosur kundër francezëve”, tha për Anadolu Agency (AA) Abdennour Toumi, një ekspert për studimet e Afrikës Veriore në Qendrën për Studime të Lindjes së Mesme (ORSAM) me qendër në Ankara.

Ai shtoi se algjerianët tejkaluan me trimëri mizoritë njerëzore të kryera nga një komb i cili e quan veten kampion të të drejtave të njeriut dhe barazisë.

Abdelmadjid Bouguedra, djali i një veterani të luftës që luftoi kundër sundimit francez, për AA tha se babai i tij u aktivizua në luftë në moshën 16-vjeçare dhe u arrestua, u dërgua në burg dhe u torturua.

“Babai im rrëfente mundimet e algjerianëve gjatë 132 viteve të okupimit. Por fatkeqësisht, brezi i ri nuk është në dijeni të sakrificave të tyre për pavarësi”, tha ai, duke theksuar se nevojiten më shumë përpjekje që njerëzit të bëhen më të vetëdijshëm për domosdoshmërinë për të ruajtur “këtë trashëgimi që etërit tanë lanë për ne”.

Toumi tha se brezat e lindur pas pavarësisë tani po përballen me një dilemë socio-ekonomike në vend, duke kërkuar një jetë më të mirë jashtë vendit.

“Pyetja e vërtetë për këto breza nuk është në të vërtetë një çështje e kujtesës kolektive dhe keqardhjes, por një çështje e një jete më të mirë”, tha ai.

– Skenari ekonomik dhe politik

Duke folur rreth klimës aktuale politike në Algjeri me emërimin e ministrit të Financave, Ayman Ben Abdelrahman, për të formuar një qeveri të re, Toumi tha se qeveria e re do të drejtohet nga teknokratë, duke u përqendruar në ekonomi.

Ai tha se presidenti Abdelmadjid Tebboune dëshiron të vazhdojë agjendën e tij pasi që ai dhe Abdelrahman janë të diplomuar në të njëjtën shkollë algjeriane, l’Ecole Nationale d’Admnistration (l’ENA).

Toumi tha se meqenëse asnjë parti nuk mori një shumicë të rehatshme, qeveria do të formohet me mbështetjen e presidentit dhe një “aleancë presidenciale” është në horizont.

Sipas rezultateve përfundimtare, partia qeverisëse e Algjerisë, Fronti Nacional Çlirimtar (FLN) doli e para në zgjedhjet e përgjithshme të mbajtura në 12 qershor, duke siguruar 98 nga 407 vendet e parlamentit.

Algjeria mbajti zgjedhjet për herë të parë që nga dorëheqja e ish-presidentit Abdelaziz Bouteflika në vitin 2019, i cili drejtoi vendin për dy dekada.

Imad Atoui, një bashkëpunëtor i lartë kërkimor në Qendrën për Islamin dhe Çështjet Globale, një think-tank në Universitetin e Stambollit “Sabahattin Zaim”, tha se algjerianët shpresojnë për të ardhmen, por procesi kërkon kohë.

“Koronavirusi e bëri të vështirë për qeverinë e parë për të përmbushur pritjet e njerëzve, megjithëse të gjithë ministrat ishin teknokratë,” tha ai, duke argumentuar se përkundër shqetësimeve të algjerianëve mbi transicionin politik, fokusi i tyre kryesor është të mbijetojnë krizën ekonomike të shkaktuar nga rënia e çmimeve të naftës dhe pandemia.

– Marrëdhëniet Algjeri-Turqi

Duke folur rreth marrëdhënieve turko-algjeriane, Toumi tha se Turqia në vitet e fundit është shfaqur si një “partner i fortë për Algjerinë”.

Ai tha se afrimi midis Algjerisë dhe Turqisë nuk po mirëpritet në Paris, i cili mendon se po humbet oborrin e saj të pasmë.

Në janar të vitit 2020, presidenti i Turqisë Recep Tayyip Erdoğan vizitoi Algjerinë dhe zhvilloi bisedime mbi aspektet e bashkëpunimit dypalësh.

Atoui tha se algjerianët i konsiderojnë turqit si vëllezërit e tyre pasi të dy ndajnë një histori të gjatë që nga Perandoria Osmane.

Kategoritë
BotaLajme