Ali Harby dënohet me burgim të përjetshëm për vrasjen e deputetit britanik Amess

David Amess (69), i cili ka qenë anëtar i Parlamentit Britanik që nga viti 1997, u sulmua me thikë më 15 tetor gjatë një takimi në zonën elektorale Essex

Ali Harby Ali, i cili vrau deputetin konservator David Amess në Britaninë e Madhe vitin e kaluar, është dënuar me burgim të përjetshëm, raporton Anadolu Agency (AA).

Pas gjykimit në Gjykatën Old Bailey në Londër, gjyqtari Nigel Sweeney shpalli vendimin duke thënë se i pandehuri dënohet me burgim të përjetshëm.

Sweeney tha se Ali, i cili vrau deputetin britanik, e kreu vrasjen për t’u hakmarrë për humbjet e organizatës terroriste DEASH në Siri.

Sweeney gjithashtu theksoi se personi i akuzuar nuk ndjeu keqardhje apo turp për atë që kishte bërë. Ai e cilësoi humbjen e deputetit Amess si “humbje kombëtare”.

Sipas raporteve të mediave lokale, Ali tha në gjyq se nuk pendohej për vrasjen dhe se Amess e meritonte vdekjen sepse votoi në Parlament për sulmet ajrore në Siri në 2014 dhe 2015.

Amess, 69-vjeç, i cili ishte anëtar i Parlamentit Britanik që nga viti 1997, u sulmua me thikë më 15 tetor gjatë një takimi në zonën elektorale Essex.

Sulmuesi, i cili hyri në Kishën Metodiste të Belfairs, ku po mbahej takimi, i shkaktoi disa plagë me thikë Amess-it.

Bëhet e ditur se sulmuesi ishte me origjinë nga Somalia.

Kategoritë
BotaLajme