Ambasada e Afganistanit në Taxhikistan kërkoi nga Interpoli që të arresojë ish-presidentin Ghani

Muhammed Zahir Agbar, ambasadori i Afganistanit në Dushanbe, në një konferencë për media e përshkroi ikjen e Ghanit si një “tradhti ndaj shtetit dhe kombit”

Ambasada e Afganit në Taxhikistan kërkoi nga Interpoli të arrestojë ish-presidentin Ashraf Ghani, i cili u largua nga vendi i tij “duke përvetësuar 169 milionë dollarë nga thesari i shtetit”, transmeton Anadolu Agency (AA).

Muhammed Zahir Agbar, ambasadori i Afganistanit në Dushanbe, në një konferencë për media e përshkroi ikjen e Ghanit si një “tradhti ndaj shtetit dhe kombit”. Agbar tha se e njeh Amrullah Salehun, që shërbente si nënkryetar në qeverinë e Ghanit, si kreun legjitim të shtetit afgan.

Ai më tej tha se sipas Kushtetutës së vendit, në mungesë, arratisje ose vdekje të presidentit, nënkryetari i parë bëhet president zyrtar në detyrë.

Ambasadori gjithashtu theksoi se negociatat e palëve përkatëse për krijimin e një qeverie gjithëpërfshirëse po vazhdojnë në Doha dhe populli afgan është duke pritur për rezultatin e këtyre bisedimeve.

Agbar tha se shpreson që bashkësia ndërkombëtare do të ndihmojë në krijimin e paqes dhe qeverisë gjithëpërfshirëse në Afganistan.

Në fund të konferencës, në prani të gazetarëve, Agbar udhëzoi stafin e ambasadës që të hiqte fotografinë e Ghanit dhe ta zëvendësonte me fotografinë e Salehut.

Kategoritë
BotaLajme