Ambasada e Rusisë në Tiranë i reagon Haradinajt për “Shqipërinë e Madhe: Provokim, po përparon si ide

Pas deklaratave të Ramush Haradinajt për referendumin e bashkimit të Shqipërisë me Kosovën ka reaguar Ambasada Ruse në Shqipëri të cilat i kanë quajtur këto deklarata si provokim.

“Këtu po bëhet fjalë për një provokim të radhës, të implikuar në ideologjinë e Shqipërisë së Madhe, e cila kohët e fundit ka përparuar gjithnjë e më intensivisht në rajon dhe kërcënon drejtpërdrejt integritetin territorial të shteteve të Ballkanit”– shkruan Ambasada në një reagim në Facebook.

Para disa ditësh Ramush Haradinaj deklaroi se për zhvillimin e mëtejshëm të Kosovës në arenën ndërkombëtare shikon si opsion bërjen e një referendumi për Bashkimin Kombëtar.

“Shpjegova për rrezikun që Kosova të mbetet në pozita të njëjta për shumë vite në vijim, e rrethuar dhe e izoluar. Edhe pse ne kemi orientimin tonë euroatlantik, nuk jemi pa opsion, nëse kjo gjendje e Kosovës do të vazhdojë me tendenca që të zgjatet deri në pafundësi. Opsioni tjetër, do të jetë Referendumi i organizuar për bashkimin tonë më Shqipërinë, sepse ne nuk do të qëndrojmë duarkryq. Ky nuk është kërcënim për askënd, por thjesht Kosova e ka të domosdoshme anëtarësimin në NATO, qoftë si shtet i pavarur, qoftë si e bashkuar me Shqipërinë”

Një reagim i tillë i Ambasadës së Rusisë në Tiranë vjen në një kohë ku Shqipëria shpalli ‘non grata’ diplomatin Alexez Krivosheev, për shkak të mosrespektimit të masave anti-Covid. Këtë dëbim Rusia e ka cilësuar si një provokim nga ana e Shqipërisë dhe sipas tyre nuk do lihet pa përgjigje reciproke.

Një tjetër ‘përplasje’ mes Tiranës dhe Moskës ishte për vaksinat anticovid, ku kryeministri Edi Rama e quajti të papërshtatshëm dhe provokim reagimin e Ambasadës rusë në vendin tonë për vaksinën Sputnik V që mund t’i ofrohej vendit tonë.

Kujtojmë se më 19 janar lidhur me deklaratën e Ramush Haradinjat ka reaguar edhe Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, duke thënë se një bashkim i mundshëm i Kosovës me Shqipërinë është një kërcënim jo vetëm për Serbinë, por edhe për rajonin, Evropën dhe të gjithë botën.

Reagimi i plotë i Ambasadës Ruse në Shqipëri:

Nga komenti i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Federatës Ruse për deklaratën e z. R.Haradinaj

Kohët e fundit një nga politikanët shqiptarë e Kosovës, Ramush Haradinaj, deklaroi se synon të kërkojë mbajtjen e një referendumi për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, nëse ky pseudo-shtet i vetëshpallur nuk pranohet sa më shpejt në Bashkimin Evropian dhe organizatat ndërkombëtare si dhe Beogradi nuk do të njohë “pavarësinë” e Kosovës.

Këtu po bëhet fjalë për një provokim të radhës, të implikuar në ideologjinë e Shqipërisë së Madhe, e cila kohët e fundit ka përparuar gjithnjë e më intensivisht në rajon dhe kërcënon drejtpërdrejt integritetin territorial të shteteve të Ballkanit. Shantazhi politik është i papranueshëm dhe pikërisht kështu duhet të interpretohet fjalimi i R. Haradinajit, i cili me lehtësi propozon të rishikojë në mënyrë arbitrare kufijtë në Ballkan.

Kategoritë
BotaLajme