Ambasada e SHBA-së në Prishtinë: Presim angazhim të menjëhershëm në Dialogun Kosovë-Serbi, lufta në Ukrainë tregon urgjencën për integrimin e Ballkanit Perëndimor

Ambasada Amerikane në Prishtinë, përmes një deklarate për Gazetën Online Reporteri.net, ka ripërsëritur se SHBA-ja pret angazhim të menjëhershëm në dialogun Kosovë-Serbi, të përqendruar në njohje reciproke. Duke hedhur kështu poshtë aludimet se lufta në Ukrainë mund ta pezullojë procesin e dialogut të papërmbyllur mes Kosovës dhe Serbisë.


Një zëdhënës i ambasadës së SHBA-së në Prishtinë tha të enjten për Gazetën Online Reporteri.net se pushtimi rus në Ukrainë ka treguar rëndësinë dhe nevojën e punës së SHBA-së dhe partnerëve evropianë për të siguruar integrimin e plotë të vendeve të Ballkanit Perëndimor, brenda institucioneve të tyre.

“Lufta e paprovokuar dhe e pajustifikuar e Rusisë kundër Ukrainës vuri në pah edhe një herë rëndësinë dhe nevojën urgjente të punës së Shteteve të Bashkuara dhe partnerëve tanë evropianë për t’u siguruar që vendet e Ballkanit Perëndimor të integrohen plotësisht në institucionet evropiane dhe euroatlantike”, thuhet në deklaratë.

Në deklaratë, Ambasada Amerikane në Prishtinë, ripërsërit qëndrimin e SHBA0-ve se dialogu duhet të jetë i përqendruar në njohjen reciproke mes dy shteteve, në mënyrë që pastaj të hapet rrugë për integrimin e tyre në BE, NATO dhe në institucionet tjera ndërkombëtare.

“Shtetet e Bashkuara besojnë se angazhimi i menjëhershëm, i hapur, i sinqertë dhe fleksibil në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja është mënyra më e mirë jo vetëm për të normalizuar marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë përmes një marrëveshjeje të përqendruar në njohjen reciproke, por po ashtu që të dyja këto shtete të zënë vendet e tyre të merituara, përkrah fqinjëve në institucionet evropiane dhe euroatlantike”.

“E ardhmja e Kosovës dhe Serbisë shtrihet në brendësi të Evropës”, përfundon deklarata e zëdhënësit të Ambasadës së SHBA-së në Prishtinë, për Gazetën Online Reporteri.net.

Ndryshe nga kjo deklaratë e Ambasadës së SHBA-së në Prishtinë, situatën me dialogun me Serbinë e paraqiti të martën Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Ai tha se beson se “se situata është më e vështirë sesa dikur”, dhe shtoi se “varet se kur na vije ftesa nga Brukseli”.

“Mirëpo pas invazionit rus në Ukrainë, takimet janë në një situatë tejet më të vështirë sesa vitin e kaluar”, tha Kryeministri kosovar në një paraqitje të tij para mediave.

Se dialogu, siç BE parapëlqen ta quaj “për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë” po vazhdon, të enjten i tha Gazetës Online Reporteri.net edhe zëdhënësi i BE’së Peter Stano.

“Si gjithmonë, ne njoftojmë për çdo takim të ardhshëm rreth dialogut kur është koha e përshtatshme”, shtoi ai.

Megjithatë, sipas BE-së, sikurse edhe e shpehu vet shefi i saj, Josep Borrell, dialogu Kosovë-Serbi nuk “është nën ritmin e pritur”.

“Z. Borrell shprehu zhgënjimin e tij që, edhe pse dialogu po ecën në drejtimin e duhur, nuk është me ritmin e pritur”, tha Peter Stano të enjten për Gazetën Online Reporteri.net.

Ndryshe, më gjerësisht rreth dialogut Kosovë-Serbi, dhe pritjeve të SHBA-së për fazën finale të këtij procesi të përqendruar në njohje reciproke mes vende, javë më parë foli, Gabriel Escobar, i dërguari i Presidentit Joe Biden për Ballkanin Perëndimor, në një intervistë ekskluzive për Gazetën Online Reporteri.net.

Zëvendësndihmës-Sekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, në intervistën e tij të parë për ndonjë medium në Kosovë, tregoi për rëndësinë që në mënyrë urgjente të arrihet marrëveshje finale mes Kosovës e Serbisë. Tha se SHBA-ja pret që si Kosova, ashtu edhe Serbia t’i respektojnë zotimet e mëhershme për njëra-tjetrën, përfshirë edhe atë për krijimin e Asociacion të komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Kategoritë
LajmeVendi