Ambasadat e Turqisë në Tiranë, Prishtinë dhe Shkup shënojnë Ditën e Republikës

Në ceremonitë e organizuara në Tiranë, Prishtinë dhe Shkup, të pranishëm ishin zyrtarë të vendeve përkatëse dhe përfaqësues të institucioneve turke.

Ambasadat e Republikës së Turqisë në Tiranë, Prishtinë dhe Shkup kanë organizuar manifestime të ndryshme me rastin e Ditës së Republikës së Turqisë, raporton Anadolu Agency (AA).

Tiranë

Në ceremoninë e organizuar në ambientet e një hoteli në Tiranë ishin të pranishëm zyrtarë të Shqipërisë, si ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi, ministrja e Shtetit për Standardet e Shërbimeve, Milva Ekonomi, ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali, shef i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Shqipërisë, Gjeneralmajor Bajram Begaj, kryetari Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, diplomatë, zyrtarë të tjerë dhe përfaqësues të organizatave të ndryshme.

Gjithashtu ishin të pranishëm edhe drejtori i Institutit “Yunus Emre” në Tiranë, Ömer Osman Demirbaş, drejtori i zyrës së Fondacionit Turk Maarif në Shqipëri, Mesut Özbaysar, koordinatorja e TIKA-s në Tiranë, Emine Gizem Başkan dhe mastershefja e njohur turke, Ebru Baybara Demir.

Gjatë ceremonisë u lexua edhe mesazhi i Presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, ndërkohë të pranishmit i përshëndeti ambasadori i Turqisë në Tiranë, Murat Ahmet Yörük.

Ambasadorit Yörük tha se ndërsa kremtojmë 98-vjetorin e Republikës së Turqisë, festojnë edhe 98-vjetorin e Traktatit të miqësisë dhe bashkëpunimit të përjetshëm ndërmjet dy vendeve, që u nënshkrua pas shpalljes së Republikës së Turqisë.

“Jemi krenarë për interesin e treguar nga brezi i ri shqiptar për të mësuar turqisht dhe për të vazhduar arsimin e lartë në Turqi, që është një tregues i qartë se lidhjet tona do të vazhdojnë të lulëzojnë edhe nga brezat e ardhshëm. Nën udhëheqjen vizionare të Presidentit Erdoğan dhe Kryeministrit Rama, viti 2021, ka qenë një vit i jashtëzakonshëm për sa i përket marrëdhënieve tona dypalëshe”, u shpreh ambasadori turk.

Duke përmendur edhe ndihmat dhe mbështetjen e Turqisë për ndërtimin e Spitalit të Fierit, ndërtesat për familjet e prekura nga tërmeti i nëntorit të vitit 2019, ambasadori turk tha se Turqia do të vazhdojë të mbështesë përpjekjen e Qeverisë së Shqipërisë për të përmirësuar cilësinë e jetës dhe mirëqenien së qytetarëve të saj.

“Ndërsa përkujtojmë 98-vjetorin e Republikës së Turqisë, kujtojmë me respekt edhe dëshmorët tanë që humbën jetën duke mbrojtur vendin tonë, duke luftuar kundër organizatave terroriste, si PKK dhe YPG, dhe duke i rezistuar përpjekjes së pabesë për grusht shteti nga organizata terroriste FETO”, u shpreh Yörük.

Për të ftuarit u shtrua dhe një darkë me gatimet tradicionale turke, me recetat nga libri i përgatitur nën kujdesin e zonjës së parë të Turqisë, Emine Erdoğan, për të cilin foli edhe Ebru Baybara Demir.

Gjithashtu u prezantua edhe një video për marrëdhëniet midis Turqisë dhe Shqipërisë dhe për ndihmat e Turqisë në disa sektorë.

Ndërkohë, në kuadër të Ditës së Republikës së Turqisë, ndërtesa e Universitetit Politeknik të Tiranës u ndriçua me ngjyrat e flamurit të Turqisë.

Prishtinë

Nëpërmjet një solemniteti në rezidencën e Ambasadës së Turqisë në Prishtinë është festuar 29 Tetori, Dita e Republikës e Turqisë, raporton Anadolu Agency (AA).

Në solemnitet morën pjesë Ambasadori i Turqisë në Prishtinë, Çağrı Sakar, Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, kryetari i Partisë Demokratike Turke të Kosovës dhe ministri i Zhvillimit Rajonal Fikrim Damka, krerët e partive opozitare, deputetë dhe shumë të ftuar.

Ngjarja nisi me intonimin e himneve kombëtare të dy vendeve, ndërkohë që ambasadori Sakar e filloi fjalën e tij duke lexuar mesazhin e 29 Tetorit të presidentit Recep Tayyip Erdoğan.

Sakar theksoi rëndësinë e komunitetit turk të Kosovës në raportet mes dy vendeve.

“Ju keni dhënë kontribut të rëndësishëm gjatë dhe pas procesit të pavarësisë së Kosovës, gjatë zhvillimit të tij dhe tejkalimit të vështirësive. Ju jeni integruar me institucionet e Kosovës dhe komunitetet e tjera që jetojnë në Kosovë. Ju i shtoni vlerë të madhe marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Turqisë, të cilat vazhdojnë të rriten në çdo aspekt”, u shpreh Sakar.

Ndërkaq, kryeministri Kurti uroi popullin e Turqisë në emër të popullit të Kosovës.

“Shpallja e Republikës më 29 tetor 1923 ishte kulmi i procesit që filloi me Luftën e Pavarësisë. Tregon vullnetin e kombit turk për të mos u përkulur. Falë gjenialitetit të Ataturkut dhe bashkëpunëtorëve të tij, ajo tregoi se pavarësia nuk është thjesht një luftë çlirimtare, por hapje e një epoke të re për popullin e Turqisë”, tha Kurti.

Solemniteti përfundoi me një koktej.

Shkup

Me rastin e 29 tetorit, Ditës së Republikës së Turqisë, Ambasada Turke në Shkup ka organizuar pritje, raporton Anadolu Agency (AA).

Në kuadër të pritjes së mbajtur në Sallën e Koncerteve të Filarmonisë në kryeqytetin e Maqedonisë së Veriut, me mbështetjen e Institutit Yunus Emre u mbajt një koncert muzikor i përbërë nga këngë të preferuara të Mustafa Kemal Ataturkut, themeluesi i Republikës së Turqisë, si dhe ushqimet e preferuara të tij.

Në pritje morën pjesë: presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski dhe bashkëshortja e tij Elizabeta Gjorgievska, ambasadori i Turqisë në Shkup, Hasan Mehmet Sekizkök, kryetari i Institutit Yunus Emre, Şeref Ateş, deputetë, liderë partish politike, ambasadorë të vendeve të ndryshme, përfaqësues të institucioneve dhe organizatave turke në vend dhe shumë të ftuar të tjerë.

Në fjalimin e tij, ambasadori Sekizkök tha se Turqia ndodhet në rajonin ku takohen Ballkani, Kaukazi, Lindja e Mesme dhe Mesdheu dhe se për një shekull, i janë përmbajtur parimit të Ataturkut “paqe në vend, paqe në botë”.

Duke kujtuar se rrënjët e paraardhësve të Mustafa Kemal Ataturkut shtrihen në Maqedoni, Sekizkök tha: “Ne e dimë se në rininë e tij Ataturku thithi ajrin e këtyre tokave në atmosferën multikulturore, plot ngjyrëshe dhe të gjallë të Maqedonisë. Vitet që Mustafa Kemali si student i dalluar i Shkollës së Lartë Ushtarake të Manastirit, vitet që ai kaloi në Manastir, patën një ndikim të rëndësishëm në formësimin e ideve dhe personalitetit të tij në rrugën për t’u bërë një udhëheqës i madh”.

Ambasadori turk deklaroi se i kushtojnë rëndësi të veçantë edhe lidhjeve njerëzore në marrëdhëniet dypalëshe.

Sekizkök uroi gjithashtu popullin e Maqedonisë së Veriut, i cili këtë vit feston 30 vjetorin e pavarësisë së saj.

Në kuadër të programit u lexua edhe mesazhi i presidentit turk Recep Tayyip Erdoğan.

Nga ana tjetër, në kuadër të festimeve të 29 tetorit, Instituti Junus Emre në Muzeun Kombëtar të Luftës së Maqedonisë së Veriut mbajti “ekspozitë fotografike nga Ataturku në Republikë” dhe “Konferencë të reformave të Ataturkut dhe arritjet e Republikës”.

Në deklaratën e tij para konferencës, kryetari i Institutit Junus Emre, Ateş, tha se këtë vit festuan Ditën e Republikës në rajonin ku lindi Ataturku, shkoi në shkollë, mori kulturën dhe ku përfundoi shkollimin e tij.

Duke shprehur se duan të kujtojnë ushqimet e preferuara të Ataturkut, këngët dhe mjedisin ku ai ka jetuar teksa po i afrohemi 100-vjetorit të Republikës, Ateş tha: “Deshëm ta përkujtojmë këtë frymë dhe këtë edukim bashkë me karakteristikat e kësaj toke që shteti i Republikës së Turqisë të vazhdojë me shekuj”.

Duke përmendur se në kuadër të konferencës do të përcillen punimet që janë bërë në Turqi prej vitesh, Ateş gjithashtu theksoi se produktet e zgjedhura do të tregojnë për hapat e ndërmarrë nga Ataturku në vitet 1920-30 në Turqi, posaçërisht mbi hapat për të cilat ai ndërtoi themelet e Turqisë në bazë të zhvillimit, humanizmit dhe bashkëjetesës.

Duke folur në konferencën me temë “Reformat e Ataturkut dhe arritjet e Republikës”, Prof. Dr. Yasemin Doğaner dha informacione për zhvillimet politike, sociale, juridike, ekonomike dhe arsimore në Turqi pas shpalljes së Republikës.

Duke u shprehur se me shpalljen e Republikës ka pasur një ndryshim të madh, Doğaner tha: “Ka një kalim nga ummeti në komb, nga nënshtetasit te qytetarët, nga konstitucionalizmi në republikë dhe shumë elementë tjerë të këtij tranzicioni. Ndryshe nga lëvizjet e mëparshme të modernizimit, ekziston një kuptim racional dhe shkencor që synon një nivel qytetërimi shumë më të rrënjosur dhe bashkëkohor dhe madje përpiqet të shkojë përtej saj. Pas fitores së lëvizjes së Luftës Kombëtare që Ataturku e filloi më 19 maj 1919, republika në fakt është lajmëtari i fitoreve të radhës politike”.

Nga ana tjetër, në shkollën fillore “Tefeyyüz”, e cila ofron mësim në gjuhën turke në Shkup, u mbajt një shfaqje e veçantë me rastin e 29 Tetorit, Ditës së Republikës së Turqisë.

Kategoritë
LajmeRajoni