Ambasadori Hovenier shkon në zyrën e Kurtit: Shpresoj ta vazhdojmë bashkëpunimin me Qeverinë

Ambasadori i ri i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeff Hovenier është pritur nga kryeministri Albin Kurti në zyrën e tij në Qeverinë e Kosovës.

Ambasadori Hovenier tha se shpreson që ta vazhdojë bashkëpunimin me Qeverinë e Kosovës, ndërsa tregoi se me Kurtin biseduan për një varg çështjesh, raporton Gazeta Express.

“Jam i nderuar që në fund të ditës time të parë si ambasador i SHBA-së këtu, pata rastin që të takohem me kryeministrin Kurti dhe ekipin e tij dhe të bisedoj për një varg çështjesh të interesit të përbashkët në fushat të cilat i përmendi kryeministri”, tha ambasadori.

Hovenier theksoi se SHBA-ja i çmon marrëniet me Republikën e Kosovës.

“Edhe unë personalisht e çmoj dhe e vlerësoj shumë këtë marrëdhënie”, tha ambasadori amerikan.

Kurti, paraprakisht tha se pret ta thellojë bashkëpunimin dhe partneritetin me SHBA-në, ndërsa shprehu falenderimin për kontributin e SHBA-së në çlirimin e Kosovës, shpalljen e pavarësisë dhe mirëmbajtjen e paqes.

“Pres që të kemi bashkëpunim të ngushtë për marrëdhënie sa më të mira midis Republikës së Kosovës dhe SHBA-së në mënyrë që ta thellojmë dhe zgjerojmë partneritetin dhe alenacën tonë e cila shtrihet në shumë fusha, prej sundimit të ligjit, demokracisë, qeverisjes së mirë, investimeve në ekonomi e deri te mbrojtja dhe siguria, paqja e qëndrueshme e stabiliteti afatgjatë”, tha Kurti.

Kategoritë
LajmeVendi