Ambasadori italian për dialogun Kosovë-Serbi: Mundësi historike të mbyllet tragjedia historike e së kaluarës

Ambasadori i Italisë në Kosovë, Antonello De Riu, ka thënë se shteti i tij mbështet fuqimisht dialogun Kosovë-Serbi, derisa marrëveshjen përfundimtare e ka parë si mundësi historike që t’i jepet fund, siç e cilëson ai, trashëgiminë tragjike të së kaluarës.

De Riu këto deklarata i ka dhënë përgjatë një interviste me agjencinë italiane të lajmeve ‘Anza’, teksa ka folur edhe për raportet Kosovë-Itali, të cilat ai i cilëson të shkëlqyera, përcjell lajmi.net.

“Italia mbështet fuqishëm dialogun e lehtësuar nga BE-ja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Është një mundësi historike për të dyja vendet që të mbyllin përfundimisht trashëgimitë tragjike të së kaluarës dhe të presin me padurim anëtarësimin në Bashkimin Evropian”, deklaroi ai.

“Italia, së bashku me partnerët e tjerë (Franca, Gjermania, Britania e Madhe dhe SHBA), është gati të inkurajojë të dyja palët që të punojnë në mënyrë konstruktive nën lehtësimin e BE-së që të arrihet një marrëveshje vendimtare për stabilizimin e rajonit dhe përspektivën europiane”, potencoi më tej De Riu.

Ambasadori italian poashtu theksoi edhe përmirësimin e bashkëpunimit në fushën ekonomike.

“Sigurisht, sektori ekonomik është sektori ku bashkëpunimi ynë shënon perspektiva më interesante të rritjes. Ekziston edhe mundësia që investitorët italianë të fokusohen në tregun kosovar, i cili paraqet komplementaritete interesante me ekonominë tonë”, deklaroi ai.

Ai po ashtu foli edhe për prezencën ushtarake italiane në kuadër të KFOR-it.

“Në konfirmim të vlerës strategjike që i kemi rezervuar këtij misioni dhe kontributit të tij në stabilizimin e Ballkanit Perëndimor, nga vjeshta e ardhshme Italia do të shprehë sërish pozicionin e komandantit”, deklaroi ndër të tjera ambasadori italian. /Lajmi.net/

Kategoritë
LajmeVendi