Ambasadori kinez në Paris: Kërcënimi nga NATO e çoi Rusinë të niste luftën në Ukrainë

“Për kinezët, shkaku i luftës janë pesë ciklet e zgjerimit të NATO-s drejt lindjes. Kjo përbën një kërcënim ushtarak dhe të sigurisë për Rusinë”, tha ambasadori Lu Shaye

Ambasadori i Kinës në Francë, Lu Shaye, tha se zgjerimi i NATO-s drejt lindjes e bëri Rusinë të nisë luftën në Ukrainë, duke akuzuar Perëndimin se po përpiqet të frenojë Pekinin dhe Moskën, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Për kinezët, shkaku i luftës janë pesë ciklet e zgjerimit të NATO-s drejt lindjes. Kjo përbën një kërcënim ushtarak dhe të sigurisë për Rusinë”, tha Lu në emisionin e mëngjesit të radios Europe1.

“Ju nuk mund të shtypni ose kërcënoni sigurinë e të tjerëve duke i ndaluar të tjerët të hakmerren ose të mbrohen”, tha ai, duke mbrojtur veprimin ushtarak të Moskës kundër Kievit.

Ai gjithashtu nuk e mbështeti vendimin e Suedisë dhe Finlandës për të kërkuar anëtarësimin në NATO, duke thënë se pozicioni i tyre neutral mund të mbrojë më mirë sigurinë e tyre.

Kina, një aleate e ngushtë e Rusisë, ka refuzuar të dënojë luftën, por mbetet e angazhuar në përpjekjet për të ndërmjetësuar paqen përmes negociatave diplomatike dhe arritjen e armëpushimit.

Lu e pranoi “partneritetin strategjik shumë solid” të Pekinit me Moskën, por mohoi që Kina ishte në një aleancë me Rusinë.

Ai theksoi se manovrat e të dy vendeve ishin në përgjigje të provokimit të SHBA-së.

“Amerikanët kanë deklaruar hapur se objektivi i tyre strategjik është Kina, në lidhje me Tajvanin. Ne jemi shumë të shqetësuar për këtë luftënxitje”, tha ai, duke akuzuar SHBA-në dhe aleatët e saj perëndimorë se po praktikojnë një “strategji kontrolli ndaj Kinës dhe Rusisë”.

Lu gjithashtu mohoi të gjitha akuzat në dokumentet e zbuluara së fundmi në lidhje me trajtimin e ujgurëve dhe pakicave të tjera turke në rajonin Xinjiang të Kinës.

Kategoritë
BotaLajme