Ambasadori rus vjen në kufi, Presidenca e Kosovës: Vuçiç po ndjek axhendën e Putinit

Presidenca e Kosovës ka reaguar për ambasadorin rus në Beograd që vizitoi sot njësitë ushtarake të Serbisë që janë mobilizuar në kufi me Kosovën. Shefi i kabinetit të Presidentes Vjosa Osmani, Blerim Vela shprehet se Aleksandër Vuçiç po ndjek axhendën e mikut të tij rus, Putin.

Ministri i Mbrojtjes i Serbisë dhe Ambasadori i Rusisë në Beograd vizituan njësitë ushtarake të grumbulluara në kufirin me Kosovën. Vuçiç po ndjek axhendën e Putinit për të zhbërë të gjitha investimet e SHBA, BE dhe NATO në rajon, të cilat e bënë atë paqësore dhe të begatë” shprehet ai.

Më herët ishte nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku që denoncon prezencën e ambasadorit të Rusisë në Beograd, në afërsi të kufirit mes Kosovës dhe Serbisë, duke pyetur se çfarë po bën ai atje. “Çfarë po bën ambasadori rus në Beograd duke patrulluar kufirin mes Kosovës dhe Serbisë. Pse është atje me ministrin serb të Mbrojtjes?”, ka shkruar ajo.

Ministri serb i Mbrojtjes, Nebojsha Stefanoviç, i shoqëruar nga shefi i shtabit të përgjithshëm të ushtrisë serbe, Milan Mojsiloviç dhe ambasadori rus në Beograd, Aleksandar Bocan Kharchenko, vizituan njësitë serbe në Rashkë, në afërsi të kufirit në Jarinjë në një moment kur situata është mjaft e tensionuar pas bllokimit të pikave doganore prej një jave.

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreRajoni