Ambasadori turk viziton Bazën Detare Pashaliman

Ambasadori i Turqisë në Tiranë, Murat Ahmet Yörük, tha se ekipi turk në Bazën Detare Pashaliman është i pranishëm në kuadër të marrëdhënieve dypalëshe në fushën e ushtarake

Ambasadori i Turqisë në Tiranë, Murat Ahmet Yörük, realizoi një vizitë në Bazën Detare Pashaliman në Qarkun e Vlorës, duke u takuar me drejtues të ekipit turk në këtë bazë dhe ushtarakë të tjerë, raporton Anadolu Agency (AA).

Pjesë e takimit në bazën ushtarake ishin edhe atasheu ushtarak i Turqisë në Shqipëri, Kolonel Muhammet Kelami Kablay dhe drejtues të ekipit turk, ndërkohë ambasadori Yörük vizitoi ambientet e bazës.

Në një deklaratë për AA, ambasadori Yörük tha se ekipi turk në Bazën Detare Pashaliman është i pranishëm në kuadër të marrëdhënieve dypalëshe në fushën e ushtarake.

“Mësova me kënaqësi që të gjithë pjesëtarët e forcave tona këtu janë mirë dhe janë me moral të lartë, si dhe se janë të lumtur që ndodhen në Shqipëri”, u shpreh ambasadori Yörük.

Ekipi turk në Bazën Detare Pashaliman vepron në kuadër të bashkëpunimit në fushën ushtarake midis Shqipërisë dhe Turqisë, sipas një protokolli të veçantë të nënshkruar mes dy vendeve.

Duke folur për vizitat e tij në jug të vendit, Yörük tha se “kisha mundësi të vizitoja edhe Kalanë e Borshit, kala kjo e cila është e ndërtuar në periudhën osmanëve dhe e cila është pjesë e kulturës sonë të përbashkët. Me këtë rast vizitova edhe xhaminë e cila ndodhet në brendësi të kalasë. Vura re që si kalaja ashtu edhe xhamia ka shumë nevojë për restaurim dhe rregullim. Shpresoj që në të ardhmen do të flasim me autoritetet shqiptare për rikthimin e tyre në identitet”.

Pas vizitës në bazën ushtarake, ambasadori turk realizoi një takim edhe me prefektin e Qarkut të Vlorës, Flamur Mamaj, të cilët biseduan për mbështetjen e institucioneve turke dhe forcimin e bashkëpunimit mes institucioneve.

Kategoritë
BotaLajme