Amerika paralajmëron Evropën për një sulm të mundshëm rus kundër Ukrainës

SHBA paralajmërojnë aleatët evropianë se Rusia është duke planifikuar një pushtim të mundshëm në Ukrainë, ndërsa qeveria e  Biden monitoron  përqendrimin e trupave në kufirin midis dy vendeve, sipas burimeve për Bloomberg.

Agjencia amerikane e lajmeve shkruan se zyrtarët amerikanë anë informuar homologët e  Bashkimit Evropian për shqetësimet e tyre.

Raporti shton gjithashtu se  vlerësimet e SHBA-së  bazohen në informacione që nuk u janë komunikuar ende qeverive evropiane, gjë që duhet të ndodhë përpara se të merret ndonjë vendim për një “përgjigje kolektive”.

Të mërkurën (10 nëntor), Sekretari amerikan i Shtetit, Anthony Blinken tha se Shtetet e Bashkuara “po monitorojnë rajonin nga shumë afër” dhe se  “do të vazhdojnë të konsultohen nga afër me aleatët dhe partnerët e tyre për këtë çështje”.

Nga ana e saj, Rusia sqaron se zhvillimi i forcave ushtarake brenda territorit të saj është një çështje e brendshme, duke mohuar se ka një qëndrim agresiv ndaj Ukrainës .

Në të njëjtën kohë, Moska akuzon Uashingtonin për veprime provokuese të luftanijeve të saj në Detin e Zi , pranë territorit rus.

Burimet e Kremlinit të cituara nga Bloomberg thonë se Rusia nuk ka ndërmend të nisë një luftë në Ukrainë, pavarësisht se Moska është e gatshme të përdorë të gjitha forcat e saj nëse është e nevojshme.

Një tension i ngjashëm ka  ndodhur edhe në muajin prill kur 100 mijë ushtarë së bashku me forca të blinduara dhe avionë luftarakë ishin mbledhur pranë kufirit ruso-ukrainas .

Kriza u përshkallëzua në qershor pas një samiti midis presidentit amerikan Joe Biden dhe homologut të tij rus Vladimir Putin.

Kategoritë
BotaLajme