Anadolu Efes fiton titullin e parë të Ligës së Evropës 2021 të Turkish Airlines

Anadolu Efes bëhet skuadra e dytë turke që fitoi këtë trofe pasi Fenerbahçe u kurorëzua kampione e Ligës së Evropës në vitin 2017.

Anadolu Efes fitoi titullin Ligës së Evropës 2021 të Turkish Airlines duke mposhtur Barcelonën 86:81 në finalen e së dielës, raporton Anadolu Agency (AA).

Skuadra spanjolle pati një fillim më të mirë të lojës duke arritur epërsinë 22:15 në favor të saj pas përfundimit të çerekut të parë në Arenën Lanxess në Këln të Gjermanisë.

Në çerekun e dytë, Anadolu Efes e mori veten duke u rikthyer nga një deficit prej 10 pikësh, duke përfunduar pjesën e parë me epërsinë 39:36.

Skuadra turke mori kontrollin në çerekun e tretë, duke kaluar në epërsi 65:58, rezultat ky me të cilin hynë në periudhën e fundit.

Barcelona u rikthye duke ulur hendekun prej 7 pikësh në çerekun e katërt, por përpjekjet e tyre nuk ishin të mjaftueshme për të mposhtur ekipin e Stambollit, i cili arriti titullin e parë në Ligën e Evropës me një fitore 86:81.

Lojtari më i mirë i Ligës së Evropës, Vasilije Micic udhëhoqi Anadolu Efes në këtë fitore historike me 25 pikë, kurse Shane Larkin shënoi 21 pikë, duke arritur 12 pikë nga 12 gjuajtjet e lira.

Sertac Sanli gjithashtu shënoi 12 pikë.

Në radhët e skuadrës së Barcelonës kosha-shënuesi më i mirë ishte Cory Higgins me 23 pikë. Kyle Kuric 18 pikë dhe Brandon Davies 17 pikë.

Kështu, Anadolu Efes bëhet skuadra e dytë turke që fitoi këtë trofe pasi Fenerbahçe u kurorëzua kampione e Ligës së Evropës në vitin 2017.

– Presidenti i Turqisë dhe ministri i Rinisë dhe Sporteve dërguan mesazhe urimi

Presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan dhe ministri turk i Rinisë dhe Sporteve Mehmet Muharrem Kasapoğlu uruan Anadolu Efes për fitoren e tyre.

“E përgëzoj me gjithë zemër Anadolu Efes për fitoren e titullit të finales së Ligës së Evropës Turkish Airlines”, shkroi Erdoğan në Twitter.

“Në emër timin dhe kombit tim, unë do të doja të shprehja mirënjohjen time për të gjithë ata që kontribuan në këtë arritje të madhe që na bëri krenar”, shtoi ai.

Ministri Kasapoğlu ndau gjithashtu një mesazh në Twitter për të përgëzuar sportistët, stafin, bordin dhe tifozët e klubit të Stambollit për fitoren e titullit të Ligës së Evropës.

Kategoritë
Sport