Angela Merkel sot dhe nesër në vizitë të lamtumirës në Ballkanin Perëndimor

Kancelarja gjermane Merkel do të qëndrojë sot në Beograd, ku do të takohet me presidentin serb Aleksandar Vuçiç, kurse një ditë më vonë, më 14 shtator, në Shqipëri, ku do të zhvillojë takim me udhëheqësit e vendeve të rajonit

Kancelarja gjermane Angela Merkel do të shfrytëzojë ditët e fundit të mandatit të saj për të vizituar Ballkanin Perëndimor, ku do të zhvillojë takime me udhëheqësit e vendeve të rajonit në Beograd dhe Tiranë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Merkel do të qëndrojë sot në Beograd, ku do të takohet me presidentin serb Aleksandar Vuçiq, kurse një ditë më vonë, më 14 shtator, në Shqipëri.

Fokusi i bisedimeve me Presidentin e Serbisë do të jenë marrëdhëniet dypalëshe, marrëdhëniet ekonomiko-politike dhe çështjet nga perspektiva evropiane, u njoftua më herët nga zyra e kancelares gjermane.

Merkel do të vazhdojë vizitën e saj në Ballkanin Perëndimor në Tiranë, ku do të ketë një takim dypalësh me kryeministrin shqiptar Edi Rama të martën, me të cilin do të diskutojë gjithashtu çështje bilaterale dhe ekonomike, si dhe qasjen e vendit ndaj Bashkimit Evropian.

Pas kësaj, kancelarja do të marrë pjesë në një drekë me kryeministrat e të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor, në të cilën tema kryesore do të jetë bashkëpunimi rajonal, e ndjekur nga një konferencë shtypi.

Para se të kthehet në Berlin, Merkel do të ketë takime dypalëshe me krerët e qeverive të Kosovës, Maqedonisë së Veriut, Bosnjë dhe Hercegovinës dhe Malit të Zi, njoftoi Ambasada e Gjermanisë në Tiranë.

Angela Merkel do të largohet nga politika pas 16 vitesh si kancelare nga fundi i muajit. Tre kandidatët kryesorë për të pasuar kancelaren gjermane janë Armin Laschet, kandidati i bllokut konservator CDU/CSU, të cilit i përket edhe kancelarja aktuale, Olaf Scholz, kandidati socialdemokrat (SPD, qendra e majtë) dhe Annalena Baerbock e të gjelbërve.

Kategoritë
BotaLajme