Angelina Jolie viziton Ukrainën

Jolie, e dërguar speciale e Komisionerit të Lartë të OKB-së për Refugjatët (UNHCR), u pa duke vizituar qytetin e Lvivit.

Aktorja e Hollivudit Angelina Jolie ka mbërritur në Ukrainë ndërsa lufta në rajon vazhdon, sipas pamjeve të shpërndara në rrjetet sociale sot.

Jolie, e dërguar speciale e Komisionerit të Lartë të OKB-së për Refugjatët (UNHCR), agjencisë së OKB-së e mandatuar për të ndihmuar dhe mbrojtur refugjatët, u pa duke vizituar qytetin e Lvivit.

Ajo vizitoi një kafene në qytet dhe fotografoi personat e pranishëm aty.

Anton Gerashchenko, një këshilltar i Ministrisë së Punëve të Brendshme të Ukrainës, ndau gjithashtu fotografi dhe video në Twitter, duke thënë: “Angelina Jolie në Lviv. Ajo po viziton Ukrainën me një mision humanitar si e dërguar speciale e OKB-së për refugjatët”.

Jolie, e cila po ecte në rrugët e qytetit, u pa duke vrapuar në një vend të sigurt kur u dëgjuan sirenat që paralajmëronin bombardime dhe sulme ajrore.

Të paktën 2.899 civilë janë vrarë dhe 3.235 të tjerë janë plagosur në Ukrainë që nga fillimi i luftës me Rusinë më 24 shkurt, sipas vlerësimeve të OKB-së.

Shifra e vërtetë dyshohet të jetë shumë më e lartë.

Më shumë se 5,4 milionë njerëz kanë ikur në vende të tjera, kurse rreth 7,7 milionë janë zhvendosur brenda vendit, tregojnë të dhënat nga agjencia e OKB-së për refugjatët.

Kategoritë
BotaLajme