Anglia në gjysmëfinale të EURO 2020, triumfon pa mëshirë me Ukrainën

Anglia në gjysmëfinale të EURO 2020, për herë të tretë në histori, pasi mposhtën me rezultatin 4-0 Ukrainën. Tashmë Kombëtarja e “Tre Luanëve” ka mundësinë të shkojë për herë të parë në finale dhe për këtë duhet të mposhtin Danimarkën.

Takimi i sotëm nisi me një gol të shpejtë të kapiteni Harry Kane, i cili nuk fali nga brenda zonës. Festa nisi dhe mund të kishte zgjatur pak, por portieri Pickford e ndali Yaremchuk në pjesën e parë. Declan Rice i West Ham “flirtoi” me golin për Anglinë.

Gjithsesi në 45 minutat e para nuk pati më gol. Skuadra e Southgate u tregua e pamëshirshme në pesë minutat e para të fraksionit të dytë të lojës, teksa Harry Maguire dhe Harry Kane i çuan shifrat në 3-0.

Serie e golave nuk mbaroi aty, pasi Jordan Henderson shënoi edhe të katërtin pas gati një ore lojë. 4-0 dhe praktikisht gjithçka ishte e mbyllur. Ukraina nuk kishte forcë të reagonte, qoftë edhe për një gol nderi. Tani Anglia mendon për gjysmëfinalen. /abcnews.al

Kategoritë
Sport