Anketë: 61 për qind e amerikanëve mendojnë se SHBA-ja është “në rrugë të gabuar”

Anketa ka treguar miratim të ulët për politikat e presidentit Joe Biden.

Shumica e amerikanëve besojnë se vendi i tyre ka kaluar “shumë seriozisht” në rrugë të gabuar, kurse mbështetja për presidentin Joe Biden ka rënë gjithashtu, sipas një ankete të re.

Anketa nga Morning Consult-Politico ka intervistuar gati 2.000 persona në fund të gushtit, ndërsa SHBA-ja po përfundonte operacionet ushtarake në Afganistan dhe gjatë orëve të fundit kaotike të misionit për të nxjerrë amerikanët dhe aleatët nga aeroporti në Kabul.

Anketa ka pyetur pjesëmarrësit nëse ata mendojnë se gjërat në SHBA po shkojnë në drejtimin e duhur ose “shumë seriozisht” në rrugën e gabuar. 61 për qind zgjodhën “rrugën e gabuar”, krahasuar me 39 për qind që kanë thënë se vendi po shkon në “drejtimin e duhur”.

Po ashtu, 48 për qind e të anketuarve miratojnë fuqishëm ose në një farë mase punën që Biden po bën si president. Megjithatë, 50 për qind janë shprehur se nuk e miratojnë, përfshirë 37 për qind të cilët kanë thënë se “fuqishëm” nuk e miratojnë.

Biden ka marrë notë veçanërisht të ulët për politikën e tij mbi Afganistanin. 61 për qind kanë thënë se ata “në njëfarë mase” ose “fuqishëm” nuk e miratojnë performancën e tij në lidhje me përfundimin e luftës 20-vjeçare në atë vend. Ndërkaq, 72 për qind mendojnë se tërheqja e trupave po shkon keq.

Megjithatë, 50 për qind kanë deklaruar se janë dakord me vendimin për t’i dhënë fund pranisë së trupave amerikane, ndërsa 41 për qind kanë shprehur kundërshtime deri në një masë të caktuar.

Kategoritë
BotaLajme