Argjentinë, mbyllja e kufijve zgjatet për një muaj tjetër

Në bazë të një dekreti të nënshkruar të shtunën, masa do të parandalojë hyrjen e të huajve jo-rezidentë përmes porteve, aeroporteve, kalimeve kufitare ndërkombëtare dhe pikave të tjera të hyrjes

Qeveria argjentinase ka zgjatur mbylljen e kufijve të saj për një muaj tjetër, përkatësisht deri më 28 shkurt, në një përpjekje për të parandaluar përhapjen e koronavirusit të ri (COVID-19) në vend, transmeton Anadolu Agency (AA).

Të huajt jo-rezidentë nuk mund të hyjnë në vend, përveç nëse marrin leje të veçantë.

Në bazë të një dekreti të nënshkruar të shtunën nga shefi i kabinetit, Santiago Cafiero de Pedro dhe ministri i Punëve të Brendshme, Gines Gonzalez Garcia, masa do të parandalojë hyrjen e të huajve jo-rezidentë përmes porteve, aeroporteve, kalimeve kufitare ndërkombëtare dhe pikave të tjera të hyrjes.

Argjentina, me një popullsi prej rreth 45 milionë banorësh, deri më tani ka regjistruar pothuajse 1.9 milionë raste me COVID-19 dhe mbi 47 mijë vdekje.

Vendi është mbështetur në vaksinën ruse Sputnik V pasi pati tre dërgesa nga Moska. Në dy dërgesat e para ata morën 300 mijë doza, ndërsa në dërgesën e tretë të enjten e kaluar morën 220 mijë doza.

Në fushatën e vaksinimit, Argjentina përparësi ka dhënë për profesionistët shëndetësor, ndërkohë së fundmi miratoi edhe përdorimin e vaksinës tek personat mbi 60-vjeç, pasi fillimisht ajo aprovoi vaksinën për grupmoshat më të reja.

Kategoritë
BotaLajme