Arrestimet në Morinë, Çuçi: Të vendosur për pastrimin e policisë shqiptare nga punonjësit e korruptuar

Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi ka reaguar sot pas një vale arrestimesh të punonjësve të policisë të Shqipërisë dhe Kosovës në përmbyllje të një aksioni të përbashkët policor në lidhje me korrupsionin e ushtruar në doganë.

Në një njoftim në Facebook, Çuçi ka përgëzuar agjencinë shqiptare të Mbikëqyrjes Policore për hetimin profesional që çoi në pranga dhjetra punonjës policie të pikës kufitare në Morinë.

“Ishte një hetim model për ndëshkimin e korrupsionit dhe shpërdorimit të detyrës. Jemi të vendosur për të pastruar Policinë e Shtetit nga punonjësit e korruptuar, për të cilët s’ka vend në radhët e kësaj trupe”, ka shtuar ministri.

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) në Shqipëri ka njoftuar sot arrestimin e 17 punonjësve të policisë shqiptare në pikën kufitare të Morinës.

Sipas njoftimit të SPAK, gjatë hetimeve është dokumentuar veprimtaria e kundërligjshme e punonjësve të Policisë së Shtetit në Drejtorinë Vendore për Kufirin dhe Migracionin në Kukës gjatë kohës së kryerjes së shërbimit në Morinë.

Sipas SPAK, masat e sigurimit personal janë: arrest në burg për 17 punonjës policie, arrest në shtëpi për 14 persona (shtetas dhe punonjës policie) dhe pezullim nga detyra për 3 punonjës policie.

Kategoritë
LajmeRajoni