Arrestohen tre persona në Prishtinë, njëri kërkohej nga Interpoli

Tre persona janë arrestuar sot në lagjen “Kalabria” të Prishtinës në një operacion të njësive speciale të Policisë së Kosovës.

Një prej të arrestuarve ka qenë në kërkim ndërkombëtar kurse dy të tjerët për posedime droge.

Gjatë aksionit është konfiskuar edhe një sasi e drogës, që dyshohet të jetë e llojit kokainë.

Aksioni është ndërmarrë nga njësia FAST Kosova në bashkëpunim me Agjencinë Kosovare të Inteligjencës (AKI).

Lajmi është konfirmuar nga zëdhënës i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha.

“Mund të ju konfirmoj se në orët e pasdites në Prishtinë, Policia e Kosovës, konkretisht njësia FAST Kosova, në bashkërendim me njësitet relevante nga drejtoria rajonale dhe ato të reagimit të shpejtë kanë realizuar një operacion efikas me ç’rast kanë arrestuar një person shtetas i huaj dhe në kërkim ndërkombëtar, me urdhër arrest ndërkombëtar. I njëjti dyshohet se ndodhet ne kërkim ndërkombëtar për shkak të veprës penale të mashtrimit.
Gjatë operacionit policor në lokacionin ku është arrestuar i kërkuari i lartcekur me urdhër arrest ndërkombëtar janë arrestuar edhe dy persona tjerë të dyshuar se posedonin lëndë narkotike dhe veprime policore janë ne proces nga njësitet e anti-drogës së Policisë se Kosovës”, ka thënë Hoxha

Kategoritë
LajmeVendi